Dugolli: Kontaktet me Radojiçiqin nuk kontribojnë në sigurinë e Kosovës dhe detyrën e Policisë së Kosovës
Sot gjatë ditës KALLXO.com ka raportuar për pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës të cilat janë parë gjatë ditës së djeshme në një takim të thirrur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
KALLXO.com ka siguruar një fotografi në të cilën shihen në takim me Vuçiqin disa eprorë të policisë të cilët punojnë në zonën e veriut të Kosovës.
Në të njëjtin takim sipas mediave serbe ku mori pjesë edhe i kërkuari tashmë për rastin “Brezovica” Milan Radojiçiq u diskutua edhe mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Sipas fotove pesë personat e parë që janë në fotografi kanë pozita të larta në Policinë e Republikës së Kosovës.
KALLXO.com ka kontaktuar Enver Dugollin, deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje si dhe anëtar në Komisionin për Siguri për të marrë një qëndrim lidhur më këtë ngjarje.
Dugolli për KALLXO.com është shprehur organet e rendit duhet ta hulumtojnë këtë rast.
“Organet e rendit duhet ta hulumtojnë këtë rast, duhet ta kryejnë punën e vet, pasi që dihet që Radojiçiq është përson i ndjekur me aktakuzë, është e papranueshme që policët e Kosovës të shihen në foto me të”, ka thënë Dugolli për KALLXO.com
Ai thotë që drejtori i Policisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet ta thonë fjalën e tyre.
“Kontaktet me të, derisa ai është në listën e të kërkuarve, nuk kontribuojnë në sigurinë e Kosovës e as nuk kontribuojnë në detyrën e Policisë së Kosovës sepse policët janë të thirrur për ta ndjekur krimin”, ka thënë Dugolli.