Dugolli: Incidentit në Shtërpcë i gëzohet vetëm Beogradi

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli në emisionin #KallxoPernime për plagosjet e dy serbëve në Shtërpcë nga një pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës ka treguar se në FSK ka edhe pjesëtarë të komunitetit serb.

“FSK-ja ka arritur që në afat rekord të rekrutojë pjesëtarë të komunitetit serb, dhe madje e ka plotësu kuotën përkundër presionit të madh që kanë pasur nga strukturat paralele dhe nga Serbia”- tha Dugolli.

Ai tha se edhe sot ka anëtarë të FSK-së që i takojnë komunitetit serb, të cilët nuk kanë dhënë dorëheqje dhe vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre.

Ai tha se Serbia i është gëzuar këtij incidenti pasi që dëshiron që ta ndryshojë këtë me narracion të urrejtjes.

32 vjeçari A.K., është arrestuar më 6 janar, pas plagosjes së dy të rinjve, njëri 11 e tjetri 21 vjeç në fshatin Gotovushë të Shtërpcës. Ndaj të dyshuarit, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjykata e Ferizajt i ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj.

Sipas Prokurorisë ndaj të njëjtit rëndojnë akuza për tri vepra penale. A.K., është i dyshuar për veprat penale, “Vrasja e rëndë në tentativë”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Kjo ngjarje ka ngjallur reagim të serbëve lokal në Shtërpcë, të cilët po atë ditë për disa orë bllokuan rrugën, ndërsa të nesërmen mbajtën një protestë.