Dugolli: Çështja e monitorimit me kamera nuk ka të bëjë me Qeverinë

Enver Dugolli, deputet dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Siguri, në emisionin “Kallxo Përnime” tha se çështja e monitorimit të kamerave nuk ka të bëjë me Qeverinë.

“Çështja e monitorimit me kamera nuk ka të bëjë asgjë me Qeverinë, çështjen e veriut ne e kemi gjetur kështu, nuk e kemi sjellë ne këtë situatë. T’i presim hetimet, organet ligjzbatuese duhet të thonë fjalën e vet dhe të zhvillojnë hetime. Tendenca për ta lidhur me Qeverinë është e paqëndrueshme sepse Qeveria bën politika por organet ligjzbatuese janë Policia, AKI, prokuroria”, ka thënë Dugolli.

Dugolli ka thënë se Komisioni për Siguri do t’i kërkojë komandantit të Policisë një raport në lidhje me këtë çështje.

“Do e thërrasim komandantin e Policisë që të ofrojë një raport në lidhje me këtë sepse ende nuk dihet se kush i menaxhon apo kontrollon ato kamera, është për t’u shqetësuar”, ka thënë ai.

Dugolli tha se Komisioni për Siguri e ka trajtuar çështjen e kamerave por nga një prizëm tjetër.

“Kjo kalon pak ma shumë sesa të çështja për informim e privatësi sepse ne e kemi trajtu vëzhgimin me kamera nga prizmi i privatësisë sepse cenon privatësinë dhe komisionerja ka thënë se kanë marrë një veprim që ka shqiptuar një masë kundër komunës sepse në një vend ka qenë e vendosur një kamerë e cila ilegalisht ka qenë duke monitoruar lëvizjet e qytetarëve. Kemi inkurajuar që çdokund ku ka ankesa të veprojë menjëherë nga prizmi i privatësisë”, ka shtuar Dugolli.

Mbrëmë në Kallxo Pernime është transmetuar hulumtimi për kamerat ilegale në komunat veriore.

Kush i kontrollon kamerat e vendosura në disa lokacione në veri të Kosovës?

www.kallxo.com