Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dude Balje thotë se u kërcënua me jetë, i dyshuari është në paraburgim për 30 ditë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka konfirmuar se përmes telefonit është kërcënuar me jetë ajo dhe familja e saj.

Balje thotë se kërcënimi ka qenë serioz dhe personi që e ka kërcënuar, me inicialet B.S., tani është në paraburgim 30-ditor.

“Me datë 16 janar 2023, unë kam raportuar një rast te organet policore dhe prokuroriale pasi që përmes telefonit jam kërcënuar për jetën time dhe të familjes time. Kërcënimi ka qenë serioz dhe është bërë me dashje të drejtëpërdrejtë nga një person me përgjegjësi të plotë penale. Rrjedhimisht me datë 17 janar 2023 me kërkesë të prokurorisë, gjykata i ka caktuar të dyshuarit B.S masën e paraburgimit në kohëzgjatje fillestare prej 30 ditëve. Sipas informacioneve që unë kam si viktimë e rastit, i dyshuari ka pranuar në tërësi fajin për veprat penale që po gjykohet”- shkruan Balje.

Balje ka thënë se nuk dëshiron të japë më shumë informacione lidhur me këtë rast, duke shtuar se procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar dhe se nuk dëshiron të ndikojë në asnjë formë mbi rastin.

“Më lejoni të theksoj që unë gjithmonë do të jem armik i dhunës ndaj grave në cilëndo formë që mund të shfaqet ajo. Secila grua që ka qenë viktimë e dhunës në shtetin tonë, për mua është heroinë dhe mësim që ne duhet të nxjerrim si shtet. Sa i përket rastit tim, ju konfirmoj që unë jam falenderuese për reagimin me kohë dhe korrekt të policisë, prokurorisë dhe gjykatës. Megjithatë më duhet të shtoj se ky rast që më ka ndodhur mua, nesër mund t’i ndodhë kujtdo. Prandaj e shoh të rëndësishme që të gjithë ne të jemi unik kundër dhunës ndaj grave, në këtë betejë që është e secilit. Më lejoni të falenderoj sidomos mediat dhe portalet për korrektësinë që kanë treguar në rastin tim por edhe në rastet tjera të ngjashme”- shton ajo.

Më tej, Balje për të dyshuarin B.S, ka thënë se është person me shumë vepra penale, duke shtuar se ai është person “me aftësi të mëdha manipuluese të cilat i shfrytëzon për përfitime të ndryshme”.

“Për shkak të shumë pyetje që më jeni parashtruar lidhur me të dyshuarin B.S., duhet të them se bëhet fjalë për një person i cili është recidivist i shumëfishtë i vepra penale edhe përkundër faktit që ai shumicën e kohës nuk qëndron në Kosovë. Në gjykimin tim, B.S. është person me aftësi të mëdha manipuluese të cilat i shfrytëzon për përfitime të ndryshme, qoftë edhe për vëmendje të publikut. Sipas vlerësimit tim, ky person në aspektin shkencor psikologjik është mjaft jostabil dhe për pasojë është shumë i rrezikshëm për viktimat që përzgjedh ai”- është shprehur Balje.

Balje theksoi se ajo dhe familja e saj aktualisht janë qetësuar nga rasti dhe ndihen të sigurt në duart e institucioneve shtetërore.