Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Duda Balje pas vendimit të PZAP: Sot në Kosovë fitoi drejtësia

Duda Balje nga partia Socialdemokratska Unija ka mirëpritur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e 4,205 votave të iniciativës “Komuniteti i bashkuar” të Adrijana Hoxhiqit.

Balje në një prononcim për KALLXO.com tha se me këtë vendim të PZAP ka fituar drejtësia.

“Unë e shoh si vendim shumë pozitiv, tash kam pa që PZAP dhe shteti i Kosovës e kanë marrë këtë çështje shumë seriozisht, dhe mendoj që ka fituar drejtësia në këtë rast”, tha ajo.

Kanidatja për deputet nga komuniteti boshnjak edhe një herë ka theksuar se Hoxhiq kishte marrëveshje me Listën Serbe për të fituar sa më shumë vota.

“Lista Serbe ka pasur një plan dhe këtë plan ata praktikisht e kanë zhvilluar deri në fund dhe ne si komunitet kemi qenë shumë të rrezikuar, ata kanë bërë atak në komunitetin boshnjak dhe rom dhe mendoj që shteti tash na ka protektuar neve sepse ne nuk kemi pasë asnjë adresë tjetër”, shtoi ajo.

Balje pret që edhe pas ankesës në Gjykatën Supreme nga ana e Adrijana Hoxhiqit Supremja do të marrë të njëjtin vendim me PZAP.

“Mendoj që edhe Gjykata Supreme do të marrë vendimin e njëjte, sepse përgjigjes që e kemi marrë prej PZAP shumë mirë i kanë dhënë sqarimet për problemin në fjalë”, theksoi ajo.

Tutje për KALLXO.com Balje ka thënë se ende nuk e di nëse do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës por nëse bëhet pjesë atëherë do të votojë për Qeverinë Kurti.

“Nuk jam e sigurt, por mendoj që kemi më shumë vota se Adrijana Hoxhiq në këtë moment. Unë do ta votoj Qeverinë Kurti, na ende nuk kemi biseduar më z. Kurti por nëse bëhem deputete do të votoj, do të bisedoj me Albin Kurtin sepse ai është mik i boshnjakëve. Unë mendoj se kushtet janë të panevojshme sepse unë dhe z. Kurti mund të gjejmë zgjidhje për prioritetet e komunitetit boshnjak”, tha Balje.

Sot Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë vendim që t’i anulojë 4 mijë e 205 vota të iniciativës së Adrijana Hoxhiqit në 10 komuna me shumicë serbe në Kosovë.

Sipas rezultateve të shpallura nga KQZ, Adrijana Hoxhiq ka marrë 6 mijë e 422 vota, mirëpo me anulimin e 4 mijë e 205 votave, asaj do t’i mbesin vetëm 2 mijë e 217 vota.

Në vendimin e PZAP-së thuhet se do të anulohen votat për të gjitha subjektet boshnjake në 7 komuna me shumicë serbe.

Hoxhiq ishte akuzuar nga partitë e tjera të komunitetit boshnjak se ka bërë koalicion të fshehur me listën serbe për të marrë vota edhe në komunat ku nuk ka banorë të këtij komuniteti.

Për KALLXO.com Hoxhiq ka thënë se vendimi i sotëm i PZAP është skandaloz dhe ka konfirmuar se do ti drejtohet me ankesë Gjykatës Supreme.

“Është shkelje skandaloze e të drejtave të njeriut dhe unë besoj që Gjykata Supreme ka ekspertizë dhe do ta bëjë vendimin në favor të demokracisë”, tha ajo për KALLXO.com.

Flet Adrijana Hoxhiq pas vendimit të PZAP-së, paralajmëron ankesë në Supreme