Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Duda Balje intervistohet nga Prokuroria pas deklaratës për një rast të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sot ka ftuar në intervistë deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Duda Balje, në lidhje me deklaratën e saj se ka njohuri për një rast të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Këtë deklaratë Balje e kishte bëtë në emisionin “Oxygen” të datës 12 shkurt 2022.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se gjatë intervistës, Prokuroria ka kërkuar nga deputetja Balje, të dhëna lidhur me atë që ka deklaruar në emision, për emrin e viktimës apo ndonjë informacion tjetër në mënyrë që prokuroria të kontaktojë me viktimën.
Mirëpo, deputetja lidhur me këtë rast ka deklaruar se nuk e dinë emrin e viktimës dhe se nuk e ka as numrin e telefonit të saj, e as ndonjë informacion lidhur me kryesin e mundshëm të krimit.
Prokuroria njofton se, në një situatë të tillë, nga deputetja Balje nuk ka arritur të siguroj asnjë informacion i cili kishte paraqitur bazë për hapjen hetimit të rastit.
Prokuroria Speciale ka bërë thirrje te të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovës, që ta denoncojnë krimin në prokurorinë kompetente e cila garanton mbrojtjen e identitetit të tyre. Gjithashtu, i fton të gjithë qytetarët të cilët disponojnë me informacione relevante për rastet e tilla, t’i raportojnë në prokurori e jo për këto raste fillimisht të diskutohet në emisione të ndryshme të karakterit argëtues.
Por, Duda Balje në emision ka deklaruar se e njeh gruan e cila ka deklaruar që është dhunuar nja një person i nacionaliteti serb e që sipas rrëfimit ai punon si polic aktiv në Policinë e Kosovës.
Balje po ashtu ka deklaruar se gruaja që pretendon që është dhunuar në luftën e fundit në Kosovë ka pasur fotografinë e personit dhe e dinë identitetin e tij.
“Unë po du me nda me juve atë që unë kam përjetuar para një viti. Ka qenë një grua në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe ka përjetu dhunë seksuale ne kohën e luftës në Kosovë. Ka ditë kush është personi dhe ka ditë se ku jeton personi sepse e ka dhunuar disa herë dhe e ka dit. Para një viti ka qenë në komision dhe ka thënë që është polic në shtetin e Kosovës, aktiv dhe jeton në Graanicë. Ka qenë një moment me shumë emocion dhe për mua ka qenë e pabesueshme dhe i kam thënë se a është e sigurt. Ka thënë po se e kam përcjell disa herë dhe e di shtëpinë dhe e njoh gruan dhe fëmijët”, ka deklaruar Balje në emision.
Gjithashtu Balje ka thënë se e ka pyetur gruan që pretendon që është dhunuar se a mund të flasë për rastin e saj publikisht.
Balje në emision ka treguar se fillimisht ishin pajtuar që të takoheshin me ministrin e Punëve të Brendshme në mënyrë që të merreshin hapa konkretë për rastin, por që sipas Baljes, në fund gruaja ka deklaruar që nuk është e gatshme.
“Kam thënë haptas a mund të flas për këtë sepse unë nuk kam të drejt të përzihem. I kam thënë që e thirrim ministrin për punë të brendshme me marrë hapa konkret që nëse është dhunues dhe nëse është aktiv në polici është e papranueshme. Ka thënë po dhe ka shkuar në shtëpi. Ne kemi bërë marrëveshje që pas tri ditësh me u taku dhe me shku bashkë te ministri dhe pas tri ditësh nuk është lajmëruar më. Dy herë e kam takuar në Kuvend dhe e kam pasur numrin e telefonit kur ka thirr që unë më dal me marrë prej sheshit. E kam provuar me thirr në këtë numër tri ditë dhe në ditën e tretë e ka hapur telefonin dhe ka thënë ‘unë nuk jam gati për me fol’ dhe unë e kam respektu”, kishte deklaruar më tej Balje në emisionin “Oxygen”.