Duda Balje i reagon shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë rreth banerit "Liria ka Emër"

Deputetja e komunitetit boshnjak në Kosovë, Duda Balje, ka reaguar në lidhje me vendosjen e banerëve “Liria ka emër”, duke i reaguar zyrave të Serbisë.

Balje ka reaguar pasi që drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka deklaruar se banerët me emblemën e UÇK-së janë thirrje për dhunë ndaj popullatës serbe dhe popullatës tjetër joshqiptare.

“Zyrtarit dhe zyrtarëve të Serbisë që kanë shprehur frikën nga jehona e banerëve “Liria ka emër” si deputete e Parlamentit të Republikës së Kosovës dhe kryetare e partisë SDU (Unioni Socialdemokratik) ju them që frikën e tyre të mos e ndërlidhin edhe me komunitetet e tjera jo shqiptare në Kosovë. Për komunitetin boshnjak flasim ne në emër tonin e jo zyrtarë të Serbisë që as nuk jetojnë në Kosovë”, thuhet në reagimin e deputetes.

Balje tutje ka shkruar se “ne jemi për bashkëjetesë dhe rrugëtim së bashku me popullin shqiptar dhe komunitetet e tjera në shtetin tonë”.

Sipas Balje, liria është për të gjithë, dhe si e tillë “nuk duhet t’i pengojë askujt përveç popujve që ia kanë frikën lirisë”.