Duda Balje

Duda Balje i reagon Driton Selmanajt

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe kryetarja e Komisionit parlamentar për drejta të njeriut, Duda Balje, ka reaguar pas deklaratave të zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj, se deputetja Balje nuk flet dhe nuk e kupton gjuhën shqipe.

“Zv.kryeministër Selmanaj sa e njoh unë gjuhen shqipe dhe sa e flas nuk duhet të jetë çështje e fjalimit tuaj në foltore të Kuvendit. Jam përkushtuar shumë që ta mësoj dhe ta flas gjuhen shqipe. Dhe për ta kuptuar kur lexoj dhe dëgjoj jam shumë në rregull me gjuhen shqipe”, ka shkruar ajo në facebook.

Tutje Balje ka thënë se ajo dhe anëtarët e tjerë të Komisionit e kanë lexuar e-mailin e Selmanajt në të cilin ai ka refuzuar të raportojë për çështjen e të pagjeturve.

“Unë, dhe anëtarët e komisionit kemi lexuar emailin që keni dërguar ju, shqip ashtu siç ju e keni shkruar. Për mua çështja e të pagjeturve është dhe mbetet temë që duhet të jetë kryefjala e angazhimit tim dhe me këtë temë nuk bëj politikë”, ka shkruar ajo.

Sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj ka arsyetuar refuzimin e ftesës për të raportuar në Komisionin për të pagjetur.

“Asnjëherë në jetën time nuk kam thënë që tema e të pagjeturve është ezauru, kam thënë instrumenti i raportimit meqenëse kryeministri ka raportuar 6 orë unë nuk mund të vij sepse është konsumuar instrumenti i raportimit për këtë temë, kushdo që flet shqip dhe kupton shqip këtë e kam thënë”, tha Selmanaj.

“Unë nuk jam befasuar nga kryetarja e Komisionit Duda Balje sepse ajo nuk flet shqip dhe nuk kupton shqip, por nga deputetët e tjerë jam ndjerë keq dhe po ndihem edhe sot”, shtoi ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Besa Ismajli-Ahmeti ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti shkarkimin e zëvëndëskryeministrit, Driton Selmanaj, pasi ky i fundit kishte refuzuar të raportojë para Komisionit për të drejtat e njeriut për çështjen e të pagjeturve.

Në e-mailin që Ismajli-Ahmeti ka lexuar para deputetëve, zëvendëskryeministri Selmanaj kishte thënë se çështja e të pagjeturve tashmë është konsmuar dhe ezauruar dhe se nuk ka çfarë të raportojë.

“Lidhur me kërkesën e Komisionit për të Drejtat e Njeriut  që zëvendëskryeministri,  Driton Selmanaj të raportojë mbi çështjen e të pagjeturve, konsiderojmë se kjo çështje është konsumuar dhe ezauruar në seancën e Kuvendit kur kryeministri Hoti ka raportuar mbi të. Ai ka prezantuar të gjitha në debatin disa orësh, diskutimi  i kësaj  çështje nuk është opurtune”, thuhet në e-mailin që zyra e zëvendëskryeministrit i ka dërguar Duda Baljes, kryetares së këtij Komisioni.

Deputetja e PDK-së i kërkon Hotit ta shkarkojë Driton Selmanajn