Dua Lipa, Foto: RTV 21

Dua Lipa do të nderohet me çmimin "Oscar i Washington-it"

Këshilli Atlantik i Washingtonit ka njoftuar se këngëtarja Dua Lipa, do të nderohet me një nga çmimet e Lidership-it për vitin 2021. Ceremonia e çmimeve do të mbahet me 10 nëntor në auditoriumin e ‘Andrew W. Mellon’ në Washington DC.

Këshilli Atlantik do ta nderojë Duan më çmimin “Artistja Lidere e Shquar”, për karrierën e saj si një nga muzikantet me më ndikim në botë dhe për angazhimin e saj për bamirësi, duke përfshirë dhe fuqizimin e gjeneratave të ardhshme të liderëve dhe muzikantëve ballkanik.

Lipa do të jetë nën shoqërimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, e cila do të jap komentet e saj.

Pjesë e kësaj ceremonie do të jenë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeshefi ekzekutiv i “Pfizer”, doktor Albert Borula, bashkëthemeluesit e BioNTech, Uğur Şahin dhe Özlem Türeci.

Ky event , i ashtuquajtur si “Oscar i Washington-it”, gjithashtu do të shërbejë për të festuar 60 vjetorin e Këshillit Atlantik, i cili për gjashtë dekada ka punuar në misionin e tij për të promovuar lidershipin konstruktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës së bashku me aleatët dhe partnerët e saj për një botë më të mirë.