Dua Lipa dhe brendi shqiptar në Amerikë do të dhurojnë për Shqipërinë të ardhurat nga shitja e materialeve

Dua Lipa ka njoftuar se së bashku me Kujtimin dhe Arbenin nga “Bond.nyc” do të krijojnë materiale të cilat do të shiten në të gjithë botën dhe të gjithë të ardhurat e mbledhura nga këto shitje do të dhurohen për familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri.

Lipa ka shkruar në profilin e saj në ‘Instagram’ se këtë po e bën ndaras nga donacionet e saj personale dhe të familjes së saj.

“Të gjitha të ardhurat do të shkojnë direkt në llogarinë zyrtare të hapur nga Qeveria e Shqipërisë me të cilët kemi qenë në kontakt përmes shokëve tanë në Prishtinë”, ka shkruar Lipa.

Këngëtarja nga Prishtina e cila karrierën e saj e ka zhvilluar në Londër ka thënë se ky 28 Nëntor na ka gjetur në mes të dhimbjes për humbjen e jetëve nga tërmeti i tmerrshëm në Shqipëri dhe solidaritetit që vëllezërit dhe motrat tona nga Kosova dhe e gjithë bota janë duke treguar ndaj kësaj tragjedie.

Lipa ka shtuar se janë duke kërkuar mënyrat më të mira për të ndihmuar familjet e prekura, fëmijët që kanë humbur prindërit, prindërit që kanë humbur fëmijët dhe shokët që janë duke kërkuar njëri tjetrin dhe të jenë aty për më të dashurit e tyre.

Të martën, Shqipëria është prekur nga një tërmet i magnitudës 6.4 të shkallës Rihter, nga i cili kanë mbetur të vdekur 46 persona dhe qindra të tjerë të plagosur e të pa strehë. Zonat më të prekura nga tërmeti janë ato të Durrësit, Thumanës e Laçit.