Droni kap 45- vjeçarin duke ujitur kanabisin në Krujë

Një burrë 45-vjeçar është kapur nga droni duke ujitur bimët e tija narkotike në Krujë. I njëjti është arrestuar ndërsa bashkë me të edhe një 39-vjeçar si bashkëpunëtor i 45-vjeçarit.

Në lidhje me rastin ka njoftuar Policia e Shqipërisë, të cilët kanë kapur në vepër të dyshuarin ëprmes operacionit “Bruz Zalli”.

Sipas njoftimit policor, gjatë kontrollit është sekuestruar edhe një sasi lënde narkotike kanabis, në formë boçesh kurse janë asgjësuar me anë të djegies 62 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

“Si rezultat i monitorimit me dron, në zonën e quajtur “Bruz Zall”, është evidentuar duke ujitur bimët e dyshuara narkotike, shtetasi S. H., i cili sapo ka parë dronin ka tentuar të fshihet, por është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjet një qese me lëndë narkotike në formë boçesh, që ia kishte dhënë shtetasi N. A., banues në fshatin Rranze, bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale”. Thuhet në njoftimin e Policisë Shqiptare.

Rasti po vazhdon të hetohet.