Pamje, e cila është thënë se shpërfaq zjarrin në një depo nafte në Rusi.
Ukraina sulmon me dronë Moskën, anulohen 30 fluturime
Zyrtarët rusë kanë bërë të ditur të martën (10.09.2024) se kanë qëlluar së paku 15 dronë në rrethinën e Moskës gjatë natës në një valë sulmesh që ua vunë zjarrin disa ndërtesave, duke lënë të vdekur një grua dhe anuluar më shumë se 30 fluturime në kryeqytetin rus.
Më shumë se 60 dronë janë rrëzuar edhe në rajonin jugperëndimore të Rusisë, Bryansk, që kufizohet me Ukrainën dhe në rajonin jugor të Lipetskut, kanë bërë të ditur guvernatorët e zonave. Nuk është raportuar për ndonjë të vdekur a të lënduar përgjatë zonës kufitare, raporton Reuters.
Industria vendore e dronëve e Ukrainës po rritet me të madhe muajve të fundit dhe Kievi ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj infrastrukturës së transportit, energjisë dhe ushtrisë së Rusisë.
Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, ka shkruar në Telegram se së paku 15 dronë janë rrëzuar përreth Moskës, me ekipet e emergjencave që janë dërguar në disa vende të rajonit dhe afër aeroportit Zhukovo dhe në distriktin Domodedovo – vendi ku ndodhen aeroportet më të mëdha të Moskës.
Agjencia ruse e lajmeve, RIA, ka raportuar se dy aeroportet janë mbyllur, duke anuluar fluturimet e tridhjetë aeroplanëve që kishin destinacione brenda territorit rus. Janë anuluar edhe fluturimet e aeroporteve tjera më të vogla të rajonit të kryeqytetit.
Sulmet e së martës pasojnë ato të fillimuajit me dronë ukrainas që kishin shënjestruar kryesisht objektet e prodhimit të energjisë elektrike të Rusisë.
Sulmet po kryhen në kohën kritike të luftës, teksa Rusia po ndërmerr ofensivë në jug të Ukrainës, por forcat e Kievit zyrtar ia kanë dalë të thyejnë kufirin rus dhe të marrin kontrollin e dhjetëra fshatrave brenda territorit rus.
Zyrtarët rusë nuk kanë bërë të ditur pasojat reale të sulmeve të fundit ukrainase me dronë. Ukraina po kërkon nga Perëndimi autorizimin për përdorimin e raketave me rreze të gjata veprimi për t’i sulmuar caqet ruse thellë në brendësi të territorit rus.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com