Driton Selmanaj kujton marrëveshjen e Uashingtonit, pyet Kurtin për Ujmanin

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj iu është kthyer marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë të arritur në shtator të 2020.

Selmanaj ka pyetur kryeministrin Kurti se ku ka mbetur procesi i studimit të fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit që ka qenë një nga pikat e marrëveshjes së Uashingtonit.

‘’Palët janë pajtuar që të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe subjektet tjera të Qeverisë Amerikane në një studim fizibiliteti me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurtë i ujit dhe energjisë’’ – e ka cituar pikën e marrëveshjes deputeti Selmanaj.

Ai tha gjithashtu se më 23 qershor 2021, ju është dorëzuar raporti final i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i përgatitur nga Departamenti Amerikan për Energji.

Sipas tij, kryeministri ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje për përmbajtjen e këtij raporti.

‘’Cili është vlerësimi i Qeverisë së Kosovës për këtë raport dhe a e cenon sovarinitetin e Republikës së  Kosovës ky studim?’’ – e ka pyetur Selmanaj kryeministrin.

Kurti i është përgjigjur duke i thënë se raporti në tërësi flet për Ujmanin në kontekst të Kosovës, dhe të shfrytëzimit të tij për përfitime të Kosovës dhe jo për përdorim të përbashkët.

‘’Pjesa më e madhe e raportit, 3 nga 4 pikat përmban pika për veprime teknike, inxhinerike në kuadër të sistemit të Ibër-Lepencit. Raporti e ka korrigjuar atë që e ka bërë gabim ish-kryeministri, i cili ka deklaruar publikisht që Ujmani mund të shfrytëzohet bashkë me Serbinë’’ – tha kryeministri Kurti.

Përderisa e quajti deputetin Selmanaj – ‘’mbrojtësi  më i madh i sovranitetit tonë’’, tha se ai e ka kuptuar më mirë se sa i pasaktë dhe i pamundur ka qenë pretendimi për shfrytëzimin e përbashkët të Ujmanit.

Sipas kryeministrit Kurti, Serbia është thirrur në atë marrëveshje por jo në atë raport, sepse sipas tij po të kishte qenë i mirë, do ta kishin përdorur.

Në anën tjetër, Selmanaj ka ironizuar me një deklaratë të dikurshme të Kurtit për Ujmanin.

‘’Ju s’po dini çfarë po flisni kryeministër. A e keni lexuar diku në këtë raport ku thotë që Ujmani nuk është ujë, Ujmani është tokë sepse njëherë është tokë, e pastaj është ujë, Ujmani është tokë e mbushur me ujë. A kanë arritur edhe amerikanët ta konfirmojnë këtë?’’ – tha në mes tjerash deputeti Selmanaj.

Në lidhje me këtë pyetje, sipas kryeministrit, vlerësimet që i ka dhënë raporti nuk janë në përputhje me përdorimin e përbashkët çfarë ka nënshkruar ish-kryeministri.

Ai ka thënë se ish-kryeministri nuk e kuptonte “Të Drejtën Ndërkombëtare të Ujërave”, ku një shtet nuk mund t’ia ndalë ujërat e jashtme një shteti tjetër.

‘’10% të ujërave i kemi ujëra të jashtme nga burimi i Ibrit në Malin e Zi, që del në Serbi, e pastaj futet në Kosovë, dhe prapë del në Serbi. Ne nuk mundemi me ia ndalë ujërat Serbisë, ashtu siç nuk mundet të na i ndalë ajo neve’’ – tha kryeministri.

Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?

Një vjetori i mjegullt i marrëveshjes së Uashingtonit