Nora Gjakova dhe Majlinda Kelmendi me trajnerët Driton Kuka dhe Agron Kuka FOTO-Atdhe Mulla

Driton Kuka: Kemi pasur ofertë nga një shtet i fuqishëm që të vaksinohemi por s'kam pranuar

Driton Kuka, trajner i Xhudos në Kosovë, ka folur lidhur me pengesat që po hasin për shkak të mosvaksinimit të sportistëve.

Ai në emisionin “Kallxo Pernime” tha se për shkak që në Kosovë gjithçka është politizuar, gjatë këtyre muajve, ai edhe ekipi i tij kanë mbetur si spektatorë të asaj që po ndodh në botë.

“Muajt e fundit në Kosovë gjithçka është bërë politike dhe rreth zgjedhjeve dhe është lënë anash problemi më i madh që e ka kapluar botën. Lidhur me vaksinat ne ekipi ynë kemi mbetur spektatorë të asaj që po ndodh në botë. Kam foto të ndryshme të ekipeve që do shkojnë në lojëra olimpike dhe po i vaksinojnë sportistët e tyre. Ne kemi pasur durim që të presim deri më 1 mars sepse na është thënë që në fund të muajit shkurt do vijnë vaksinat”, ka thënë Kuka.

Ai tutje shtoi se mund të ndodhë që nga muaji maj do përballen me pengesa për të udhëtuar nëse nuk vaksinohen.

“Ne kemi shumë pengesa që të zhvillojmë aktivitetin, ndoshta deri në maj do bëhet me një kohë të caktuar pasi në gjithë botën kanë telashe, por mendoj që nga muaji maj neve do na vendoset pengesa edhe në të lëvizur. Xhudo ndoshta është ndër të vetmet që po e vazhdon aktivitetin olimpik por, me vështirësi ku kemi testime çdo dy ditë”, tha ai.

Kuka madje tha se i është ofruar vaksinim nga një shtet i fuqishëm, por që nuk ka pranur pasi u kanë kërkuar të dalin publikisht.

“Po ndihem keq që shtete të ndryshme na e mundësojnë vaksinimin e jo shteti ynë. Kemi pasur ofertë nga një shtet i fuqishëm të vaksinohemi publikisht por nuk kam pranuar. Nuk kam dashur që imazhi i Majlindës të përdoret prej një shteti tjetër”, theksoi Kuka.

Pjesë e emisionit ku po diskutohet lobimi për vaksina është edhe Genc Lami, distributor i vaksinës AstraZeneca dhe Avni Dervishi lobist dhe aktivist që punon dhe jeton në Suedi.