Driton Ajazi: Zyrtarizimi i kandidaturës së Lladrovcit - veprim arbitrar dhe kundër vullnetit të strukturave të degës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Ramiz Lladrovcit për kryetar të Komunës së Drenasit.

Ndërkohë, ditë më parë, dega e PDK-së në Drenas e ka dhënë një kandidat tjetër për kryetar të Komunës – Driton Ajazin.

Pas zyrtarizimit të kandidaturës së Lladrovcit nga kreu i PDK-së, KALLXO.com ka kontaktuar me Driton Ajazin.

Fillimisht ai tha se askush nga dega e PDK-së në Drenas nuk ka qenë i njoftuar për ardhjen e Memli Krasniqit në Drenas, ndërsa zyrtarizimin e kandidaturës së Ramiz Lladrovcit për kryetar ai e ka quajtur të padrejtë dhe kundër vullnetit.

“Po, siç e keni parë edhe ju sot kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka qenë në Drenas duke mos e ftuar askënd nga strukruturat e degës së PDK-së, mirëpo vetëm me kabinetin e Lladrovcit duke u mbyllur në stadiumin e qytetit të Drenasit e ka nominuar që ai të jetë kandidati nga radhët e PDK-së në Drenas që t’i prijë garës”, tha ai për KALLXO.com.

“Pas veprimit të bërë nga kryetari i partisë ku në mënyrë arbitrare dhe totalisht kundër vullnetit të strukturave të partisë atëherë neve si strukturë e partisë demokratike nuk na ka mbetur asgjë tjetër të veprimit politik pos që të vazhdojmë garën tjetër politike. Ne jemi unikë në rrugëtimin tonë politik”, shtoi tutje Ajazi.

Duke mos dhënë detaje ai tha se formati i ri për kandidaturën e tij si kryetar Komune do të bëhet publik pas pak.

Kujtojmë se zgjedhjet komunale ne vend do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.