Driton Ajazi kandidon për kryetar me Iniciativën Dekada e Re për Drenasin

Iniciativa Dekada e Re për Drenasin me kandidat Driton Ajazin e ka dorëzuar listën për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet lokale.

Kështu ka bërë të ditur Ajazi në një konferencë për media duke thënë se do të vazhdojë garën në këtë format, pasi sipas tij, nga kryetari i PDK, Memli Kraqsniqi, është rikandiduar Ramiz Lladrovci pa përkrahjen e degës së kësaj partie.

“Ne si degë e PDK në Drenas na është imponuar të vazhdojmë garën në këtë format pasi që në mënyrë të padrejtë është rikandiduar kryetari aktual Lladrovci dhe pa përkrahjen e degës në Drenas dhe si rezultat i kësaj çështje ne si degë, si struktura të PDK-së, bëmë formacionin politik”, tha Ajazi para mediave.

Sipas tij, përkrahësit e PDK-së në Drenas do të kenë mundësi që ta votojnë Inicativën e tyre në këtë formë.

“Tani garën do ta vazhdojmë përmes Dekadës së Re në Drenas dhe besoj që kjo do të jetë adresa e vetme e gjithë votuesve të PDK-së të degës në Drenas, ata votues që na kanë qëndruar besnikë tash e 20 vjet dhe do të jetë adresa e vetme e gjithë qytetarëve të Komunës se Drenasit”, ka thënë Ajazi.

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas në mbledhje të saj më 5 qershor i dha mbështetjen Driton Ajazit për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale që priten të mbahen në tetor.

Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka zyrtarizuar kandidaturën e Ramiz Lladrovcit për kryetar të Komunës së Drenasit.

Vendimi i Memli Krasniqit nuk e zmbraps kandidatin e degës së PDK-së në Drenas nga gara për kryetar Komune

Planet e Driton Ajazit për Drenasin

www.kallxo.com