Dritan Abazoviq, kryeministri i Malit të Zi, Foto: Qeveria e Malit të Zi/Twitter

Dritan Abazoviq deklarohet pasi DPS tha se nuk do ta mbështesë më Qeverinë e tij

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq, në Mal të Zi, ka dalë kundër kryeministrit Dritan Abazoviq duke thënë se nuk e mbështesin më qeverisjen e tij.

“Qeveria e Dritan Abazoviqit nuk ka më mbështetjen tonë sepse prioriteti i DPS është dhe mbetet agjenda evropiane. Pa kalkulime, ne e mbështetëm qeverinë, duke besuar se BE-ja është qëllimi ynë i përbashkët. Tani që fatkeqësisht është e qartë se nuk është kështu, sërish pa kalkulime vazhdojmë të luftojmë për të njëjtin qëllim”, ka thënë në një postim në Twitter, nënkryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Jevto Erakoviq.

Për këtë deklaratë ka reaguar edhe Abazoviq në llogarinë e tij në Facebook.

“E mirëpres vendimin e Kryesisë së DPS-së. Është përgjegjës edhe si burrë shteti kur nuk ke mundësi ta ndihmosh shtetin, të paktën të mos hakmerresh ndaj tij. Do të shohim se cili do të jetë qëndrimi i shumicës së deputetëve. Mali i Zi duhet të ecë përpara – krimi, korrupsioni dhe nacionalizmi nuk janë opsione. E ardhmja evropiane do të fitojë!”, ka shkruar Abazoviq në Facebook.

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar të premten Marrëveshjes Themelore, e cila duhet të rregullojë marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe.

Kryeministri Dritan Abazoviq deklaroi se kjo marrëveshje është miratuar pas më shumë se katër orë diskutimi.

Për miratimin e Marrëveshjes Themelore votuan 13 ministra, pesë ishin kundër, ndërsa tre ministra nuk morën pjesë në seancë.

Me këtë, Qeveria miratoi Marrëveshjen e dakorduar më parë nga kryeministri Dritan Abazoviq me patriarkun Porfirije, përkundër kundërshtimit të një pjese të ministrave dhe shumicës parlamentare që e përkrah atë Qeveri.

Zëvendëskryeministri Rashko Konjeviq tha se qeveria e Dritan Abazoviqit po humb kështu shumicën parlamentare që e ka mbështetur deri më tani.

Pas miratimit të këtij dokumenti, Marrëveshja Themelore do t’i dërgohet Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd, i cili gjithashtu duhet ta pranojë atë. Siç ishte paralajmëruar edhe më parë nga patriarku Porfirije dhe kryeministri Abazoviq, për datën e nënshkrimit të Marrëveshjes në Mal të Zi do të arrihet marrëveshja ndërkohë.

Më herët, disa nga partitë që janë në Qeveri ose e mbështesin atë në Parlament, kanë paralajmëruar nismën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, në rast se Qeveria e pakicës së Abazoviqit e miraton Marrëveshjen Themelore.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi mund të shkurtojë mandatin me propozimin e Presidentit të Shtetit, Qeverisë ose me propozimin e së paku 25 deputetëve.

Ndër kundërshtarët e nënshkrimit të tekstit aktual të Marrëveshjes janë Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviq, e cila nuk ka ministra në Qeveri, por i jep mbështetje parlamentare, SDP-ja, një pjesë e opozitës, shoqatat kombëtare malazeze, një pjesë e sektorit joqeveritar…

Ata konsiderojnë se Marrëveshja Themelore e vendos kishën serbe mbi shtetin e Malit të Zi dhe e përkthen trashëgiminë kulturore dhe fetare malazeze në atë serbe.

Nga sektori joqeveritar kanë vënë në dukje një sërë anomalish juridike, që nga fakti se disa dispozita janë në kundërshtim me rregulloret pozitive të Malit të Zi e deri te deklarimi se me këtë marrëveshje cenohet karakteri laik i shtetit, i garantuar me Kushtetutë.

Qeveria e Malit të Zi miratoi Marrëveshjen Themelore me kishën serbe, Abazoviq humb mbështetjen e shumicës