Drita pret Ballkanin në përballjen e dy konkurrentëve të mëdhenj për titullin e kampionit në Kosovë
Albi Mall Superliga vazhdon sot me ndeshjet e xhiros së 15-të, ku dy janë në program për tu zhvilluar.
E ditën e sotme do të zhvillohet super derbi mes Dritës dhe Ballkanit, dy skuadrat që deri më tani janë favoritët kryesorë për titullin e kampionit.
Drita është nikoqir i kampionit në fuqi në stadiumin me bari sintetik në Gjilan me fillim nga ora 13:00.
Vendasit për momentin ndodhen në pozitën e parë në tabelë me 30 pikë, por që kanë tre ndeshje më shumë se Ballkani që ka 26 pikë dhe do të luaj ndaj Llapit e Trepçës ’89 në udhëtim si dhe do të pres Prishtinën në ndeshjet më pak.
Dueli i sotëm është i dyti këtë edicion mes dy skuadrave, pasi të parin të zhvilluar në Drenas e fitoi Drita me rezultat të pastër 0-2.
Vendasit kërkojnë të rikthehen te fitoret pas humbjes së thellë 4-1 nga Llapi, derisa mysafirët synojnë të largohen nga Gjilani pa pësuar humbje.
Gjyqtari kryesor në këtë sfidë derbi është Dardan Çaka me ndihmësit Fatlum Berisha e Lumturije Muhadri.
Sfidë shumë interesante pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë.
Llapi pas fitores ndaj Dritës pret Ferizajn që po kërkon pikët për t’i iku pozitës së fundit në tabelë. /Telegrafi/