Fotografi e publikuar nga kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku.
Drita Millaku braktis Vetëvendosjen, shkon te LDK-ja
Deputetja Drita Millaku është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe ka kaluar në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Drita Millaku, mirë se vjen”- ka shkruar Abdixhiku në Facebook më 11.10.2024.
Abdixhiku ka thënë se Millaku i bashkohet familjes së tyre politike në rrugëtimin e përbashkët që i pret përpara.
“Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot”- ka shtuar Abdixhiku.
Kjo është deputetja e dytë që kalon nga Vetëvendosja në LDK.
Edhe Doarsa Kica- Xhelili e kishte braktisur koalicionin Lista Guxo – LVV në vitin 2022. Ajo poashtu kishte kaluar në LDK.
Para më pak se dy javësh, edhe dy deputetë tjerë lanë LVV-në.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani e Visar Korenica më 01.10.2024 bën publike kandidimin në zgjedhjet e 09.02.2025 si pjesë e Listës Familja.
Rrahmani e Korenica iu bashkuan koalicionit AKR-PD.