Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dreshaj për konkursin e drejtorit të ShSKUK-së: Mendoj që ka shkelje të kritereve

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmerinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë konkursi për drejtor të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka pasur shkelje të kritereve.

Dreshaj, në Debat Pernime, ka thënë se në rast se do të vërtetohet se ka pasur parregullsi në konkursin ku drejtor i ShSKUK-së është zgjedhur Valbon Krasniqi, një ish kandidat për deputet nga LDK, ai konkurs do të anulohet.

“Së pari duhet të them, është për të ardhur keq që nuk është lejuar juve me qenë pjesë dhe transparenca të jetë në nivelin e duhur. E keqja e dytë, me të njëjtin konkurs, me kritere të njëjta, njëherë dr. Valbon Krasniqi,  njëherë eliminohet e me kritere të njëjta ai rikthehet. Mendoj, që këtu ka shkelje të kritereve, qoftë në herën e parë qoftë në herën e dytë”, ka thënë Shemsedin Dreshaj.

“Unë nuk kam qenë pjesë e atij konkursi, unë nuk i di as kriteret e konkursit, por mendoj që kjo nuk i shërben të mirës, kjo çka ka ndodhë kësisoj. Ka mundur të anulohet kokursi, të shpallet konkursi i ri me kritere, por duke u nisur nga fakti që doktor Valboni ka qenë në drejtoratin e shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, unë kam pritë që ai do t’i plotësonte kriteret, unë kam qenë i befasuar kur është eliminuar në herën e parë”, deklaroi ai.

“Unë do ta analizoj konkursin, për të parë a janë respektuar kriteret, kjo është e para. E dyta, nëse nuk janë respektuar kriteret, dihet, të gjithë jemi nën ligjin. Për konceptin tim dhe AAK-së, drejtori i ShSKUK-së është inegzistent duhet të ketë drejtor QKUK”, tha kandidati për deputet nga AAK.

Sonte në #DebatPernime, përballë Jeta Xharrës në ciklin e debateve zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit do të diskutohet për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale. Pjesë e debatit të sotëm janë: Shemsedin Dreshaj nga  AAK, Gëzim Kelmendi nga FJALA dhe Hatim Baxhaku nga LDK.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.