Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dreshaj: Infermierët tanë duhet të jenë heronj në vepër e jo vetëm heronj në letër

Antari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social facebook, ka shprehur mbështetje për infermierët në nivel vendi.

Ai thotë se që nga fillimi i pandemisë, stafi shëndetësor ka bërë punë vetëmohuese dhe se kërkesat e tyre në drejtim të Qeverisë, janë plotësisht të drejta.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet sa më parë të ndajë buxhet për rritjen e pagesës së ndërrimeve të natës për infermierë, pagesën e punës gjatë vikendeve, orët shtesë të punës dhe pagesën e rrezikshmërisë në punë”, ka shkruar Dreshaj.

Ai po ashtu ka theksuar se Qeveria duhet sa më parë të dërgoj në Kuvend Ligjin për Paga, duke ofruar mbështetjen e AAK-së për këtë, pasi që sipas tij “infermierët tanë duhet të jenë heronj në vepër e jo vetëm heronj në letër”.

“Qeveria i ndali shtesat me arsyetimin se nuk ka buxhet, ndërkaq mori vendim që t’i paguajë 11 milionë euro serbëve në veri për rrymën e shpenzuar, duke shkelur mbi parimin e barazisë së qytetarëve dhe duke legalizuar krimin në veri. Infermierët dhe i gjithë stafi shëndetësor janë heronjtë e ditës së sotme dhe ata meritojnë të trajtohen dinjitetshëm”, ka shkruar tutje ai.

Infermierët kishin paralajmëruar se do të protestonin për ngitje të pagave, por në momentet e fundit ata e kanë shtyer atë për një ditë tjerë, pa dhënë arsye rreth kësaj.