
Kandidati i AAK-së, Shemsedin Dreshaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Dreshaj (AAK): Do ta rishikojmë buxhetin për Shëndetësinë
Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës (AAK) së bashku me partnerët e saj të koalicionit: Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal kanë prezantuar në emisionin “Debat Përnime” planin e tyre për fushën e Shëndetësisë.
Kandidati për Deputet, Shemsedin Dreshaj derisa ka folur për ato që ai i ka quajtur “dështimet e Qeverisë aktuale” në krijimin e Strategjisë për Shëndetësinë është zotuar se me ardhjen e tyre në pushtet, hapi i parë që do bëjnë do të jetë rishikimi i statusit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
“Hapi i parë në Shëndetësi në situatën aktuale që e kemi është se duhet të merremi me statusin e SHSKUK-së. Praktikisht, kemi një centralizim ekstrem të kompetencave në nivel të Bordit, që e menaxhon SHSKUK-në.” – tha ai.
Andaj lidhur më këtë, Dreshaj tha se “AAK rekomandon që Drejtori të ketë kompetenca dhe të jep përgjegjësi”, pasi aktualisht, sipas tij, Drejtorët nuk kanë kompetenca për sa kohë që përgjegjësitë i kanë të vogla.
Nëse Aleanca vjen në pushtet, sipas tij, buxheti i ndarë për sektorin e Shëndetësisë për vitin 2025 nga Qeveria Kurti do të rishikohet, qysh në seancën e parë të Kuvendit.
Premtimi i radhës nga Dreshaj në emër të partisë së tij ishte edhe heqja e TVSH-së për barna dhe pajisje mjekësore.
Ndër tjera, ky koalicion e ka përfshirë në Programin zgjedhor edhe krijimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISH), zgjerimin e Listës esenciale të barnave deri në funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore, krijimin e një linje të veçantë buxhetore për Spitalet Rajonale dhe Klinika (QKUK), si dhe ndërtimin e një laboratori për analiza specifike për të arritur diagnostifikimin e saktë dhe të shpejtë për sëmundje specifike.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë, lexoni në linkun në vijim: