Drenasi mban debat publik për hartën zonale të Komunës

Komuna e Drenasit ka filluar që të mbajnë debat publik për Raportin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Hartën Zonale të Komunës 2020-2028.

Kjo komunë përmes një shkrimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se drejtoresha për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Flutura Avdiu i ka ftuar të pranishmit të japin komente dhe sugjerime lidhur me plotësimin e raportit të VSM-së për Hartën Zonale të Komunës, “në mënyrë që të jetë sa më i plotë dhe profesional e gjithashtu, të kontribuohet në ngritjen e kualitetit dhe masave për mbrojtjen e mjedisit”.

Sipas njoftimit, në hartimin e raportit të VSM-së për Hartën Zonale të Komunës së Gllogocit kanë kontribuar shoqëria civile, profesionistët dhe ekspertët e fushave relevante, të cilët edhe sot morën pjesë në përfundimin e procedurave për aprovimin e këtij raporti.

“Ndryshe, qytetarët e komunës, nga data 10.07.2020 deri me datë 10.08.2020, kanë pasur mundësinë e konsultimit publik për Raportin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Hartën Zonale të Komunës së Gllogocit, për të dhënë komente dhe sugjerime në mënyrë elektronike në email adresën: [email protected] apo në mënyrë fizike në objektin e komunës, në zyret e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit”, thuhet në njofitm.

Raportin e VSM-së mund ta gjeni dhe ta shkarkoni edhe nga ueb faqja e Komunës së Gllogocit ose duke klikuar në këtë link.

Kujtojmë se javën e kaluar Skenderaj ka miratuar hartën zonale të komunës, duke u renditur e para komunë në Kosovë, që po kompleton legjislacionin në fushën e planifikimit hapësinor (Hartën Zonale dhe PZHK-në), në harmoni me ligjin e ri të planifikimit hapësinor.