Drenasi i kthen mbrapsht makinat mjelëse që i bleu, thonë se nuk u sollën sipas kontratës

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka njoftuar se komuna e ka obliguar  një operator ekonomik të kthejë mbrapsht makinat mjelëse për fermerë dhe të sjellë të tjera ashtu siç e ka nënshkruar kontratën.

Sipas njoftimit të kësaj komune, ky veprim ka ardhur pas rekomandimit të komisionit për pranimin teknik dhe shpërndarjen e makinave mjelëse dhe vërejtjes nga drejtoresha e DBPZHR, Anita Avdullahi se makinat nuk ishin sjellë siç janë në kontratë.

“Për shkak që operatori ekonomik nuk i ka sjellë makinat sipas kontratës së nënshkruar mes Komunës së Drenasit dhe operatorit ekonomik, Komisioni për pranimin teknik dhe shpërndarjen e makinave mjelëse ka rekomanduar që makinat të kthehen dhe të sillen ashtu siç janë të precizuara në kontratë e paramasë, pra të 40 litrave, e jo siç i kishte sjellë të 30 litërshe”, thuhet në postimin e publikuar në rrjetin social “Facebook”.

Lladrovci i ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomik që kanë nënshkruar kontrata me komunën e Drenasit, që t’i përmbahen të njëjtave, “sepse nuk do të ketë asnjë kompromis”.