Drenasi i asfalltit, por pa ujësjellës

Në kohë të pandemisë, kur secili është në panikë për ta mbajtur sa më shumë higjienën, në disa fshatra në komunën e Drenasit nuk ka ujësjellës e as ujë të pijshëm fare.

N. I., banorë i fshtatit Polluzhë të Drenasit thotë se kanë problem me ujin pasi nuk ka ujësjellës.

“Nuk kemi as nuk kemi pasë ujësjellës në fshatin ton asnjëherë. Na kanë premtuar por nuk kanë bërë asnjë hap në atë drejtim”, thotë ai.

Ndërsa këtë gjendje e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i këtij fshati, ai ka thënë se nga përgjigjet e Komunës së Drenasit punimet do vazhdojnë por nuk dihet kur do përfundohen.

Puset në fshatin Gradicë të punuara nga vet banorët

 

 

Por Polluzha nuk është fshati  i vetëm me këtë problem, probleme të tilla kanë edhe fshati Gradicë, Shtuticë, Negroc, Nekoc, Damanek, etj.

Banorë të këtyre fshatrave kanë treguar për redaksinë se ndjehen të lënë pas dore dhe në rrezik nga pandemia duke ditur se nuk kanë qasje në ujë të pijshëm.

Sokol Bylykbashi, asambleist në KK të Drenasit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se Komuna e Drenasit nuk ka qenë shumë e interesuar t’a zhvilloj atë projekt.

“Komuna e Drenasit nuk ka pasur interesim për të investuar në rrjetin e ujësjellësit, ngase ka ndarë buxhet të vogël ndër vite. Ndërsa, njësia e ujësjellësit rajonal në Drenas nuk ka bërë përpjekje për të pasur shtrirje me të gjerë të rrjetit të ujësjellësit”, ka thënë Blykbashi.

Ndërsa asambleisti nga partia e Nismës Socialdremokrate, Vehbi Berisha ka thënë se Komuna e Drenasit ndër vite ka keqmenaxhuar në mënyrë sistematike me çështjen e sigurimit të ujit të pijshëm për qytetarët.

“Vetëm për vitin 2020 Kuvendi Komunal i Drenasit ka ndarë gjithsejtë shumën prej 131,070.00 euro për çështjen e ujit të pijshëm në projektin e titulluar ‘’Ndërtimi i kapacitetit të ujit në Komunën e Drenasit’’ projekt ky i cili mban kodin e projekteve 451. Por që vlen të theksohet se deri me tani ende nuk është raportuar në kuvend në lidhje me implementimin e këtyre mjeteve në funksion të sigurimit të ujit të pijshëm për qytetaret e Drenasit”, ka thënë Berisha.

E Komuna e Drenasit ka dhënë një përgjigjje për këtë situatë. Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë, Endrit Gllareva ka deklaruar për Kallxo se Komuna e Drenasit, respektivisht kryetari Ramiz Lladrovci, me datën 29.06.2020 ka ftuar organet e hetuesisë, që të iniciojnë hetimet lidhur me projektin e rrjetit të ujësjellësit, i cili projekt ka filluar së implementuari që nga viti 2010.

Sipas tij gjatë punimeve për t’u lidhur në rrjetin e ujësjellësit i cili është dashtë të furnizojë 22 vendbanime, është vërtetuar se në disa pjesë nuk ka gypa fare, ndërsa në pjesën ku ekzistojnë gypat, janë jashtë standardeve të kërkuara dhe nuk janë funksional.

Sipas Gllarevës, për të gjitha supozimet se gjatë realizimit të këtij projekti ndër vite, ka pasur keqpërdorime, është konstatuar me dorëzimin e raportit nga ana e Komisionit profesional, i cili ka verifikuar dhe vlerësuar gjendjen faktike nga bazenat e Feronikelit deri të bazeni i pompave në Çikatovë e Vjetër, rrjedhimisht verifikimin e komplet ujësjellësit në Kamenicë, i cili komision në bazë të raportit ka gjetur një varg shkeljesh e parregullsish në implementimin e këtij projekti. Ky raport i është dorëzuar organeve të hetuesisë.

“Komuna e Drenasit kërkon falje publike ndaj qytetarëve, që edhe pse ky projekt është dashur të përfundoj dhe 22 vendbanime të kenë furnizim me ujë të pijshëm, ne ende po përmallemi me keqpërdorime nga punimet e viteve të kaluara, pra nga viti 2010 e tutje, pasi që ekzistojnë dyshimet se për të njëjtin projekt janë lidhur disa kontrata e të cilat nuk janë realizuar në teren”, tha ai.

Ndërsa, në pyetjen tonë se si duhet menaxhuar pandemia në rast se si mendoni që qytetarët e këtyre vendeve mund ta menaxhojnë pandeminë Covid-19 kur elementi bazik, uji, mungon për higjienë, ai nuk ka dhënë përgjigje.