Drenas, uji i pijshëm rrjedh e grumbullohet afër shtëpive

Banorët ankohen se pranë rrugës që të shpie te disa shtëpi në fshatin Çikatovë e Re në Drenas po ka vazhdimisht rrjedhje të ujit të pijshëm.

Sipas një banori që është ankuar në KALLXO.com rrjedhja e ujit ka nisur që disa javë e që si rrjedhojë ka dëmtuar edhe rrugën.

KALLXO.com ka siguruar disa fotografi nga rruga ‘Halim Bajraktari’ që kryqëzohet me rrugën ‘Faik Veseli’, që gjendet afër shkollës fillore.

Në pamje shihet se rrjedhja e ujit ka dëmtuar kubëzat e vendosura pranë rrugicës që të shpie të disa shtëpi e që po krijon vështirësi në qarkullim.

Foto: KALLXO.com

Lidhur më këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit ‘Prishtina’.

Zëdhënësja e KRU-së, Arjeta Mjeku ka paralajmëruar se nesër ekipi i Operativës do të dalë për intervenim në këtë zonë.

“Rastin në fjalë, e kemi marrë, por do të intervenojmë nesër për të sanuar defektin, dhe mos intervenimi i deritanishëm apo aty për aty, ka ndodhë për shkak qe po kemi raste të shumta dhe po i sanojmë me radhë”, deklaroi ajo.