Aksidenti i autobusit në fshatin Korreticë e Epërme, Drenas, 25.12.2024

Drenas, tre të lënduar nga aksidenti mes autobusit dhe një automjeti - VIDEO

Një autobus është aksidentuar me një automjet në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë, në fshatin Korreticë e Epërme në Drenas.

Aksidentin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Arlinda Rexhepi-Gërxhaliu.

Ndërsa, KALLXO.com ka siguruar edhe pamje nga aksidenti.


“Me datë 25.12.2024 rreth orës 13:30 në rrugën nacionale Pejë-Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku ku të përfshira kanë qenë një automjet dhe një autobus, si pasojë e këtij aksidenti nga njësitë policore raportohet për 3 persona të cilët kanë pësuar lëndime trupore” – ka thënë Rexhepi-Gërxhaliu.

Sipas Rexhepi-Gërxhaliut, në vendngjarje kanë dalë njësitë kompetente policore për trajtim të rastit sipas procedurave përkatëse.

Pronari i kompanisë së autobusit “Kujtimi bus”, Besnik Dervishaj në një bisedë për KALLXO.com tha se autobusi që është aksidentuar ka qenë duke udhëtuar nga relacioni Gllogjan-Prishtinë.

“Për momentin na e tërhejkëm autobusin prej vendit të ngjarjes… Tash jemi t’u ardhë Policia se po takohna me ta, ta këqyri sa vetë janë kanë se s’jam në ngjarje, s’e di” – tha Dervishaj.

Dervishaj tha se se njëri prej të lënduarve është shoferi i autobusit.

Në anën tjetër, nga data 24.12.2024, Policia e Kosovës kërkoi nga qytetarët që të kenë kujdes gjatë ngasjes në rrugë të mbuluara me borë e ngrica. Apelimi i Policisë është që të ketë përshtatje të shpejtësisë, me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës.

Shënim: Artikulli është edituar më 25.12.2024, në ora 16:51, duke iu shtuar përgjigja e kompanisë “Kujtimi bus”, për të cilën KALLXO.com ka qenë në pritje.