Drenas, qytetari bleu miell me çmim të ngritur, inspektohet biznesi

Komuna e Drenasit ka njoftuar se sot rreth orës 09:40, inspektorët komunalë kanë marrë informacion nga Policia e Kosovës se një subjekt afarist në Drenas, ka shitur miell me çmim abuziv, larg çmimit real krahasuar me atë të tregut.

Qytetari që ka raportuar rastin, është furnizuar me miell, 400 përqind me shtrenjtë se çmimi i tregut të zakonshëm të 25 kg.

“Inspektorët, se bashku me Policinë, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë inspektuar biznesin në fjalë. Pronari i biznesit fillimisht deklaron që nuk ka sasi të miellit në depo, mirëpo pas një kontrolle, në një furgon me targa KS, janë gjetur 575 kg”, thuhet në postimin e Komunës së Drenasit në rrjetin social “Facebook”.

Sipas njoftimit të tyre, rasti është nën hetim nga inspektorët dhe policia ku sipas dëshmive  të ofruara do të zhvillohen procedurat ligjore.

“Ftojmë të gjithë qytetarët, që hasin në rastet e tilla, të raportojnë inspektorët komunalë, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Policinë e Kosovës në numrin 0800 80 800”, thuhet në njoftimin e tyre.

Kujtojmë se dje, së për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia, Komuna e Drenasit ka vendosur një tendë në oborrin e QKMF-së në Drenas dhe një në atë të Komoranit.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.