Drenas, lirohen nga taksa e operimit të gjitha bizneset si dhe nga qiraja e shfrytëzimit të tarracave për vitin 2021

Kuvendi Komunal i Drenasit ka votuar sot propozimin e kryetarit Ramiz Lladrovci që të lirohen nga taksa e operimit të gjitha bizneset si dhe nga qiraja e shfrytëzimit të tarracave për lokalet e gastronomisë për vitin 2021.

Sipas një komunikate për media të kësaj Komune, sot është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës, ku për diskutim në rend dite ishin 5 pika, mirëpo me propozimin e kryetarit Lladrovci, mbledhjes i janë shtuar edhe 4 pika të tjera për diskutim e miratim.

“Pikat e e propozuara nga ana e kryetarit Lladrovci ishin; propozim Vendimi për lirimin nga taksa e operimit të bizneseve dhe lirimit nga qiraja e shfrytëzimit të hapësirave (terasave) publike për bizneset e gastronomisë për vitin 2021, propozim vendim për shfrytëzimin e pikës 11 të nenit 3 të vendimit nr.12-353-31851 i datës 23.07.2014 që i ishte dhënë prona komunale në shfrytëzim Vjollca Gashi nga Komoran, propozim vendimi për ndryshimin e koordinatorit të KKSB-së si dhe propozim vendim për caktimin e anëtarëve të komisionit përzgjedhës nga komuna për Drejtor dhe Zëvendësdrejtor në Institucionet Publike Edukativo-Arsimore”, thuhet në njoftim.

Më poshtë janë pikat që janë diskutuar e miratuar në mbledhjen e tretë të rregullt të këtij viti;

Procesverbali i mbledhjes së rregullt të Kuvendit Komunal të datës 26.03.2021, është votuar me vota unanime

Raporti financiar i zhvillimit të buxhetit Janar-Mars 2021 është diskutuar

Raporti i ndihmave dhe subvencioneve për vitin 2020 është diskutuar

Propozim vendim për bartjen e të hyrave vetanake nga viti 2020 në vitin 2021 është votuar me shumicë votash.

Propozim vendim për caktimin e anëtarëve të komisionit përzgjedhës nga komuna për drejtorë dhe zëvendësdrejtor në Institucionet Publike Edukativo-Arsimore është votuar me vota unanime.

Propozim vendim për shfrytëzimin e pikës 11 të nenit 3 të vendimit nr.12-353-31851 i datës 23.07.2014 që i ishte dhënë prona komunale në shfrytëzim Vjollca Gashi nga Komoran është votuar me shumicë votash

Propozim Vendimi për lirimin nga taksa e operimit të bizneseve dhe lirimit nga qiraja e shfrytëzimit të hapësirave (terasave) publike për bizneset e gastronomisë për vitin 2021 është votuar me vota unanime.

Propozim vendimi për ndryshimin e koordinatorit të KKSB-së është votuar me vota unanime.