Ilustrim

Drenas, kapen 24 emigrantë sirianë, egjiptianë e afganë, arrestohen dy shtetas të Shqipërisë e dy të Irakut

Sot rreth orës 03:30 e mëngjesit një patrullë policore e stacionit policor të Drenasit ka ndaluar në fshatin Poklek një kamionetë me një drejtues shtetas i Shqipërisë.

Sipas raportit policor, brenda rimorkios së kamionetës janë gjetur të fshehur 24 shtetas të huaj nga Siria, Egjipti dhe Afganistani, të cilët sipas Policisë kanë deklaruar se kanë ardhur në Kosovë nga Shqipëria në mënyrë ilegale përmes rrugëve malore dhe se qëllim kanë vendet e Bashkimit Evropian.

Sipas Policisë, kjo veprimtari dyshohet se është organizuar në bashkëpunim mes dy shtetasve të Shqipërisë dhe dy tjerë irakianë.

Dy shtetasit e Shqipërisë: F.S. lindur më 1966 dhe K.S., lindur më 1995, dyshohet se kishin detyrë t’i dërgonin emigrantët deri në Mitrovicë. Kjo veprimtari është drejtuar nga dy irakianë: A.A., lindur më 1982 dhe R.M., lindur më 1985.

Policia tutje ka thënë se sektori i hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare ka arritur ta lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarve irakianë ku edhe janë arrestuar, po ashtu më parë ishin arrestuar edhe dy shtetasit e Shqipërisë.

Në raport tutje thuhet se me aktvendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin e kryerjes së veprës penale – kontrabandë me emigrantë.