Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drenas, dorëheqje në PDK pse nuk u bë koalicioni me Nismën Socialdemokrate

Nënkryetari i nëndegës së PDK-së në fshatin Gradicë të Drenasit, Bekim Muja, ka dhënë dorëheqje nga kjo parti si shenjë pakënaqësie pse nuk u arrit koalicioni me Nismen Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

“I zhgënjyer thellë me vendimin e kryesisë qendrore të PDK për mos shkuarje në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe për mos krijimin e një force të përbashkët e cila do i mbronte vlerat me sublime të këti vendi siç është lufta e UÇK, por edhe i dëshpruar me mospërfilljen e vullnetit elektorat të PDK, unë që nga sot jap dorëheqje nga të qenurit anëtar i PDK”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

Në anën tjetër, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, përmes një konference për media ka bërë të ditur se vetëm dy koalicione janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.

Afati për koalicione ka përfunduar sot në ora 18:00.

“KQZ njofton se është përmbyllur afati për koalicione për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurti. Gjatë afatit, në KQZ janë deklaruar këto parti për koalicione: Koalicioni VAKAT, i përbërë nga partitë politike Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe Koalicioni ZAJENO, i përbërë nga partitë politike Pokret za Gora (PG) dhe Graðanska Inicijativa Gore (GIG)”, ka bërë të ditur Elezi.