'Dreka' që e bëri konsull nipin e Sami Lushtakut, këshilltari i Pacollit e mohon të ketë ndodhur

Ish kryetari i Komunës së Skenderajt Sami Lushtaku në emisionin e mbrëmshëm në ‘Kallxo Pernime’ ka folur edhe për emërimin e nipit të tij konsull në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri gjatë qeverisjes së Behgjet Pacollit me Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Lushtaku tha se në lidhje me këtë temë kishte drekuar me Behgjet Pacollin dhe e kishin diskutuar temën e nipit të tij.

“Pak ia kam ndihmu me u bo ky trasnfer. Behgjet Pacollin e kam thirrë edhe ia kam qitë një drekë. I kam thanë që ky djali është duke punuar, qysh janë mundësitë? Është e vërtetë që kam fol me Behgjetin për këtë çështje”, tha mbrëmë Sami Lushtaku.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj në një prononcim të shkurtë për KALLXO.com ka deklaruar se me dijeninë e tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Në dijeninë time kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Për dijeninë time, ajo çka ka deklaruar z.Lushtaku nuk ka ndodhur asnjëherë. Është e pavërtetë”, tha shkurtimisht Zyberaj për KALLXO.com.

Pas ardhjes së Albin Kurtit në krye të Qeverisë, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca e kishte shkarkuar Festim Lushtakun nga pozita e konsullit në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri.

 

Lushtaku: Ia qita një drekë Behgjet Pacollit dhe biseduam për nipin tim konsull