
Drejtuesit e Listës Serbe ia mësynë në mënyrë të organizuar qendrës së votimit në Mitrovicë të Veriut
Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, qytetarët kanë nisur votimin për zgjedhjet parlamentare.
Ata u mblodhën në qendër të qytetit dhe si në të kaluarën, bashkërisht iu drejtuan qendrave të votimit.
Qytetarëve iu bashkua edhe kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili votoi në shkollën “Sveti Sava”.
Kjo është hera e parë që qytetarët në veri u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore.
Në dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është: 106.029
Numri i saktë i serbëve në Kosovë mbetet ende i panjohur. Shumica prej tyre, veçanërisht në veri të Kosovës, e bojkotuan procesin e regjistrimit të popullsisë që u zhvillua vitin e kaluar. Sipas vlerësimit të publikuar më 19 dhjetor 2024 nga Agjencia e Statistikave, në katër komuna na veri të Kosovës jetojnë rreth 20.000 serbë. Ndërkohë, në gjashtë komunat e tjera në jug të Ibrit (Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë, Ranillug) janë regjistruar 27,316 serbë.
DIREKT – Kosova voton sot për zgjedhjet parlamentare