Drejtuesit e KPM-së flasin për borxhet të cilat nuk ia kanë paguar mediat

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka votuar kundër miratimit të raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Media (KPM).

Drejtues të KPM-së para deputetëve kanë prezantuar borxhet që i kanë mediat këtij institucioni.

Deputetët kanë kërkuar që të dihen arsyet se pse mediat kanë borxhe të papaguara për kohë kaq të gjatë.

“Nuk i kemi harru këto borxhe dhe i kemi dërgu tek përmbaruesi”, ka thënë Faruk Rexhaj, U.D i kryehsefit në KPM.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, ka thënë se të gjitha borxhet të cilat janë paraqitur në raportin e KPM-së kanë të bëjnë me gjobat të cilat i janë shqiptuar mediave.

“Ju i jepni mundësi që edhe mundeni me i shkel rregullat. Kjo ka të bëjë edhe me lirimin pastaj i cili reflekton. S’po e kuptoj arsyetimin që e keni dërgu”, ka thënë Rrahmani.

Sot është paraparë që të bëhet Shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, Shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021 dhe ai i BQK-së, por të njëjtat janë shtyrë për mbledhjen e ardhshme.