Drejtuesit e burgjeve të Kosovës takimin e zhvillojnë përmes "Skype"

Shërbimi Korrektues i Kosovës nga dita e sotme ka filluar që takimet t’i mbaj përmes “Skype”.

Kjo për shkak të shpalljes së gjendjes emergjente për shkak të pandemisë së coronavirusit i cili deri më tani në Kosovë ka prekur 20 persona të cilët kanë rezultuar pozitivë në testime dhe janë duke u trajtuar.

Në njoftimin e ShKK-së thuhet se në takimin virtual biseduan me drejtorët e institucioneve korrektuese për planin operativ për coronavirus.

“Përmes video-komunikimit, të gjithë drejtuesit e institucioneve korrektuese dhe ata të paraburgimit, raportuan mbi gjendjen aktuale të institucioneve të tyre, planin operativ, punën dhe sfidat nëpër të cilat janë duke kaluar si rezultat i shfaqjes së epidemisë Covid 19”, thuhet në njoftimin e ShKK-së.

Tutje në njoftim thuhet se drejtorët e burgjeve dhe qendrave të paraburgimit kanë treguar gatishmëri për menaxhimin e implementimit të planit për coronavirus.

“Në fund,  u vlerësua se në të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit deri më tani nuk ka asnjë rast, i cili rezulton pozitiv me Covid 19. Të burgosurit po marrin tretman më të shpeshtë mjekësor, janë furnizuar me material higjienik dhe me ushqim të mjaftueshëm, dhe të kontrolluar mirë nga stafi i kuzhinave.  Të gjitha këto rezultate, deri më tani janë arritur si rezultat i bashkëpunimit në mesë të udhëheqësve të institucioneve korrektuese, stafit, zyrtarëve korrektues dhe atyre shëndetësor”, thuhet tutje në njoftim.

Në një intervistë për KALLXO.com, drejtori i Burgjeve të Kosovës, Nehat Thaçi kishte treguar për masat që janë ndërmarrë në lidhje me të burgosurit dhe të paraburgosurit pas konfirmimeve të para pozitive të personave të prekur me coronavirus.

Gjithashtu drejtori kishte treguar se kishte kërkuar pezullimin e dënimin të 23 personave të cilët kanë moshë të shtyrë dhe kanë probleme shëndetësore, katër nga të cilat i ka refuzuar Gjykata e Pejës nën arsyetimin se të burgosurit mund të mjekohen edhe brenda hapësirave të burgjeve ku po qëndrojnë.