Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtoria e Shëndetësisë pa drejtor në kohë pandemie, Rudari: Unë e shkarkova

Komuna e Podujevës në kohë pandemie nuk ka drejtor të Shëndetësisë. Zaim Thaçi u shkarkua nga kjo pozitë kohë më parë.

E nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se shkarkimi i Thaçit ka ardhur si pasojë e performancës.

“Çështja e shkarkimit të drejtorit është çështje që është vlerësuar nga unë si kryetar i ekzekutivit për mungesë performance. Unë kam dashtë që të kem një drejtor shumë më proaktiv në këtë kohë të pandemisë”, tha Rudari në emisionin “Debat pernime”.

“Nuk them që nuk ka punuar, është angazhuar por nuk i ka përmbushur pritjet e mia. Për momentin është një drejtor i autorizuar, sepse nuk kam dashtë me emërua dikë në kohë zgjedhësh”, deklaroi ai.

Opozita në Komunën e Podujevës në vazhdimësi e ka kritikuar Rudarin për shkarkimin e Zaim Thaçit nga pozita e drejtorit të Shëndetësisë.

 

Ndërsa, në një përgjigje për KALLXO.com, vetë Thaçi ka thënë se nuk i di arsyet e shkarkimit.

“Këtë pyetje më së miri është me ia bë nënkryetarit. Unë nuk i di arsyet pse jam liruar nga detyra, nuk e kam asnjë arsye, ndoshta e ka ndonjë arsye nënkryetari”, ka thënë shkurt ai.