Drejtoria e Shëndetësisë demanton shifrat e PDK-së për stafin e infektuar në QKMF

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Lipjan, duke akuzuar komunën për keqmanxhim të situatës me pandeminë COVID-19, ka deklaruar se mbi 30 punonjës të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) janë prekur me coronavirus.

Në anën tjetër, Drejtoria e Shëndetësisë ka deklaruar se gjatë tri javëve të fundit, në QKMF janë infektuar 24 persona me COVID-19.

Në një komunikatë për media, PDK-ja ka theksuar se pushteti nuk po i merr parasysh sugjerimet e tyre për ta hartuar një plan ideor rreth menaxhimit të pandemisë.

“Për ne dhe qytetarët e Lipjanit është shqetësuese sepse komuna e Lipjanit nuk po harton këtë plan se si duhet menaxhuar kjo situatë, sepse sot kur po ju drejtohem përmes kësaj komunikatë jemi në dijeni se mbi 30 profesionistë shëndetësor janë të prekur nga Covid-19”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq, drejtoresha e Shëndetësisë e Komunës së Lipjanit, Merita Bytyçi ka treguar për KALLXO.com gjendjen me infektime në QKMF.

“Gjithsej në QKMF, gati tri javët e fundit aktualisht janë 24 persona të infektuar me Covid-19. Prej tyre 4 mjek, një punëtor i administratës dhe një e mirëmbajtjes dhe të tjerët janë stafi mesëm, infermier, laborant, mami, teknik i dhëmbëve”, ka thënë ajo.

Bytyçi kanë shtuar se presin që një pjesë e stafit të kthehen në punë këtë javë.

“Një pjesë bukur e mirë besoj fillon tani këtë javë punën. Menaxhim i mirë apo i keq, vlerësojeni, asnjë restrikcion të shërbimeve shëndetësore nuk ka pasur. Kemi përgatit në tërësi objektin e Maternitetit me 12 shtretër…furnizimin me barna e kemi mirë. Qytetarët janë shumë falënderues”, thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

QKMF-ja në Lipjan përbëhet nga 361 punonjës.

Që nga fillimi i pandemisë deri më sot në komunën e Lipjanit, numri i përgjithshëm  i rasteve pozitive me COVID-19 ka shkuar në mbi 850 raste.