Drejtori i Urbanizmit në Gjilan del para gjykatës, akuzohet se lejoi ndërtimin e banesave ku ishte paraparë shkolla
Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjilanit, Bekim Bajrami, ka dalë para Gjykatës në Gjilan për tu përballur me akuzat për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Sipas Prokurorisë, Bajrami ka lëshuar leje ndërtimore në Parcelat Kadastrale të Komunës së Gjilanit edhe pse në ato parcela ishin paraparë ndërtimi i një objekti parashkollor dhe një objekti tjetër shkollor.
Në seancën e sotme u dëgjuan dy dëshmitarë, Musah Bunjaku dhe Fatmir Daku, në dobi të të cilëve sipas Prokurorisë, ishin lëshuar lejet e kundërligjshme ndërtimore.
Në pyetjet e prokurorit Isuf Sadiku, dëshmitari Fatmir Daku tha se ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe mbetet pranë saj. Ai tha se posedon leje ndërtimore të lëshuar nga Komuna e Gjilanit.
“Lejen ndërtimore mua ma ka lëshuar Bekim Bajrami, pasi i kam plotësuar kushtet. Unë konsideroj se leja ndërtimore mua më është lëshuar sipas ligjit. E di se në atë vend ka pasur për tu ndërtuar një çerdhe por e di se ka ekzistuar një vendim i Kuvendit Komunal me të cilin ati vendi i është ndërruar destinacioni por atë vendim unë nuk e kam parë”, ka thënë ai.
Ai ka mohuar të përgjigjet se sa i kushtoi në tërësi objekti. Teksa shtoi se i akuzuari Bekim Bajrami nuk i ka kërkuar asnjë favor lidhur me këtë leje ndërtimore.
“Në atë parcelë unë e kam përfunduar ndërtesën e cila është me 6 kate, por nuk dëshiroj të përgjigjem se sa më ka kushtuar në tersi ndërtimi i ati objekti. Të gjitha taksat Komunale i kam paguar para se të pajisem me lejen ndërtimore. Asnjë favor nuk më ka kërkuar Bekim Bajrami lidhur me këtë leje ndërtimore ”, tha dëshmitari Daku.
Kurse, dëshmitari tjetër Musah Bunjaku, tha se nuk e ka penguar askush qe të pajiset me leje ndërtimore dhe të akuzuarin e ka shok të gjeneratës dhe asgjë tjetër.
Sipas tij, kur ka aplikuar për kushte ndërtimore Bekim Bajrami nuk ka qenë drejtor.
“Unë posedoj leje për ndërtimin e objektit banesor në venin e quajtur “Livadhet e Arapit”, dhe atë e ka nënshkruar drejtori i cili është Bekim Bajrami. Vendi ku kemi ndërtuar ne ka qenë i destinuar për ndërtimin e objekteve të larta dhe një pjesë për ndërtimin e institucioneve publike si shkolla dhe çerdhe për fëmijë, kurse aty nuk janë ndërtuar asnjëra nga to. Unë nuk e di nëse vendi në të cilin ne kemi ndërtuar objektin është ridestinuar apo jo”, u shpreh ai.
“Lejen ndërtimore e kemi marrë në bazë të kushteve urbanistike dhe i kemi kryer objektet dhe ato janë ndërtime të larta dhe tani janë të përfunduara. Mua askush nuk më ka penguar qe të pajisem me leje ndërtimore dhe Bekimin e kam shok të gjeneratës dhe asgjë tjetër. Mua nuk më intereson se çfarë destinimi ka pasur më herët. Kur unë kam aplikuar për kushte ndërtimore Bekimi nuk ka qenë Drejtor dhe se nuk kam pasur asnjë problem para ardhjes se Bekim Bajramit si Drejtor i Urbanizmit në Komunë”, shtoi ai.
Pas propozimeve për dëshmitarë të tjerë, seanca e sotme është shtyrë për t’u vazhduar me 6 shtator.
Sipas Prokurorisë gjatë vitit 2019, i akuzuari Bajrami duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare si Drejtor në Drejtorinë e Planifikimit Mjedisor në Komunën e Gjilanit ka anashkaluar interesin e institucionit që e përfaqëson (Komunës së Gjilanit) dhe e ka zëvendësuar me interesin e të tjerëve, në kundërshtim me destinimin e planifikuar sipas planit rregullues “ Livadhet e Arapit 1”, në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar dy leje ndërtimore.
Tutje sipas aktakuzës, i akuzuari Bajrami lejet ndërtimore i ka lëshuar për dy kompani ndërtimi edhe atë për kompaninë SH.P.K. “City Project-3”, me pronar Fatmir Daku dhe për kompaninë SH.P.K. “Mabb Home”, me pronar Musah Bunjaku.
KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.