Drejtori i Urbanizmit në Deçan dyshohet se dha leje për ndërtim në Park Kombëtar

Ndërtimet e objekteve banesore dhe objekteve të tjera në zonat e Pejës, Deçanit, Klinës dhe Istogut janë bërë objekt hetimi i prokurorëve në Pejë.

Hetimet e këtyre ndërtimeve dërguan në arrestimin e 10 zyrtarëve deri më tani, pasi janë shfaqur dyshimet të forta për afera korruptive dhe konflikt interesi.

Si pasojë e këtyre dyshimeve nën pranga kanë përfunduar katër drejtoret e urbanizmit, Rajan Arapi, Lorenc Marleku, Jashar Blakaj dhe Ramë Melaj.

Ky i fundit dyshohet se e kishte keqpërdorur pozitën e tij kur kishte dhënë leje për ndërtim në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar.

Sipas prokurorisë, drejtori Melaj kishte lëshuar lejen për ndërtim në Bjeshkën e Belegut edhe pse kjo pjesë është në Parkun Kombëtar, i cili është pjesë e mbrojtur.

Ai dyshohet se e kishte keqpërdor pozitën edhe kur kishte dhënë lejen për implementimin e projektit “Via Ferrata – Deçan”, në zonën e grykës së Deçanit si dhe për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e restorantit në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar.

Sipas prokurorisë nuk mund të lëshohen lejet ndërtimore në këtë zonë pa u miratuar plani hapësinor i zonës së veçantë nga Kuvendi i Kosovës.

Melaj para prokurorisë ka vendosur të mbrohet në heshtje, përderisa ndaj tij është kërkuar masa e paraburgimit.

Ai u arrestua dje në një aksion gjigand të udhëhequr nga prokuroret e Pejës ku përpos tij u arrestuan edhe zyrtarë të tjerë të këtyre komunave që në total e dërgojnë në 10 numrin e arrestimeve.

Aksioni gjigant në Dukagjin, pesë prokurorë hetojnë ndërtimet pa leje