Drejtori i 'Trepçës': Anulimi i konkursit në Trepçë nuk është në dorën time (VIDEO)

 

Banorët e Shalës së Bajgores janë duke protestuar përsëri para zyrave të menaxhmentit të kombinatit ‘Trepça’.

Ata i kanë dhënë ultimatum menaxhmentit që deri në orën 14:00 që të shkarkohet bordi, menaxhmenti dhe anulimi i konkursit, në të kundërtën kanë paralajmëruar protestë edhe për nesër me fillim nga ora 07:00 në afërsi të minierës.

Kryeshefi Ekzekutiv i “Trepçës”, Basri Ibrahimi ka deklaruar se anulimi i konkursit nuk është në dorën e tij.

Ndërkaq, sa i përket dorëheqjes tha se ‘nuk e sheh si zgjidhje’

“Unë nuk kam drejtë të anulojë konkursin. Atë mund ta anulojë vetëm ndonjë institucion më i lartë sesa ne, në qoftëse, konstatohet është shkelje e ndonjë procedure apo ligj. Çështjen e anulimit të konkursit nuk e kam në dorë”, tha ai.

“Ne jemi të vetëdijshëm qe numri i të papunëve në regjionin e Shalës dhe në Mitrovicë është shumë më i madh. Mundësitë tona si ndërmarrje janë këto. Ne kemi pranuar aq sa kemi pasur mundësi edhe pse Trepça edhe ka nevojë për fuqi punëtore. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me Qeverinë që të nxjerrim një ligj të veçantë për pensionimin e përkohshëm të minatorëve dhe punëtorëve të Trepçës sepse vetë natyra e kërkon një fuqi punëtore më të re që me dhënë më shumë kontribut në Trepçë”, tha Ibrahimi.

Forcat e njësisë speciale janë larguar nga oborri i menaxhmentit pasi që gjendja është e qetë.

Banorët e Shalës së Bajgorës kanë protestuar edhe dje para objektit të menaxhmentit të Trepçës për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre për mospranim në punë në konkursin e hapur muaj më parë.

KALLXO.com ka raportuar direkt nga protesta.

Menaxheri i Trepçës për protestën e banorëve të Shalës së Bajgorës: Do të ketë prapë konkurse

Përfundon protesta para ‘Trepçës’, qytetarët paralajmërojnë radikalizim të masave