Drejtori i Thesarit: Borxhi publik i Kosovës nuk është më keq nga rajoni

Borxhi publik i Kosovës, qëndron mirë krahas me shtetet e rajonit. Në katër vitet e fundit është dyfishuar ndërsa është rritur edhe borxhi i jashtëm dhe i brendshëm.

Kështu u tha në tryezën e BIRN Kosova në partneritet me 10 organizata jo-qeveritare të Ballkanit në të cilën do të diskutohet për borxhin publik dhe kapacitetin e institucioneve për t’i menaxhuar kreditë.

Ahmet Ismaili, Drejtor i Thesarit në Ministrinë e Financave, tha se borxhi publik është i rregulluar mirë sa i përket legjislacionit.

“Kosova ndër vendet e rralla që e ka të rregulluar hyrjen në borxhin ndërkombëtar për shkak se duhet të ratifikohet me 2/3 e votave. Nga 2009 e tutje është rritur në mënyrë graduale, duke e ruajtur stabilitetin e vendit. Borxhi publik përbëhet nga borxhi i jashtëm dhe i brendshëm, borxhi i brendshëm janë letrat me vlerë, nga 6 muaj deri në 10 vjet maturim, letrat me vlerë kanë qenë një histori suksesi. Borxhi ndërkombëtar ka filluar nga viti 2009 dhe përbën 33 për qind të protolit të përgjithshëm. Sipas të dhënave të fundit borxhi publik ka arritur në 1 miliardë 208 milionë euro. Norma e interesit është 2.14 për qind, koha mesatare për kthimin e borxhit është 5.2 vjet. 11% e borxhit është valutë jo euro. Nga kreditë e ratifikuara i dedikohen infrastrukturës, energjisë, ujit, mjedisit, bujqësisë e arsimit, etj. Prinë energjia e ripërtritshme dhe infrastruktura”, tha Ismaili.

Ai shtoi edhe se cila është sfida kryesore në këtë rast.

“Sfida kryesore, niveli i shfrytëzimit të këtyre mjeteve, ka qenë i ulët, shpeshherë i papranueshëm. Ne kemi filluar të raportojnë në Qeveri për shkaqet se pse nuk po ekzekutohen këto investime kapitale edhe pse mjetet janë të aplikuara në mënyrë që organizatat buxhetore të përballen në qeveri dhe t’i tregojnë këto shkaqe. Sfidat kanë të bëjnë me kuadro profesionale, procedurat e prokurimit, shpronësimet, procesin buxhetor. Dy tre vitet e fundit ka përmirësim. Nga të dhënat e fundit janë 480 mil euro është vlera e kredive të aprovuara por nuk janë shfrytëzuar ende për arsye të ndryshme. Dy marrëveshje janë që po presin në Kuvend, njëra për kadastrin dhe tjetra për fuqizimin e sektorit financiar apo fondi për fuqizimin e kredive”, tha ai tutje.

Në anën tjetër,Hekuran Murati, deputet i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Kosova ka problematikë me shpenzimet dhe  mungesën e projekteve që gjenerojnë punësim.

“Nëse shohim, kemi pas në vazhdimësi rritje të shpenzimeve rrjedhëse, të cilat është vështirë me u zvogëlu dhe rritje të investimeve kapitale. U tha që borxhi publik është diku 1.2 miliardë euro, mesatarja është 120 milionë euro në vit, që është dashtë me u financu prej borxhit publik. Nuk është me thënë që me u rritë borxhi publik, Kosova ka nevojë për investime por për projekte të vogla që gjeneron punësim. Në pesë vitet e fundit në borxhin e jashtëm kemi rritje 80 milionë euro neto kurse te borxhi i brendshëm 500 milionë euro, ky borxh nuk është i qëndrueshëm. Me u siguru që projektet që financohen gjenerojnë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”, tha ai.