Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i Spitalit të Gjilanit u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen

Ndër personat e parë që mori vaksinën kundër COVID-19 në komunën e Gjilanit ishte Ukshin Ismaili, drejtor i Spitalit në këtë qytet.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime” u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen.

Ismaili shtoi se vetëm vaksinimi është zgjidhje që të mbrohemi në plotëni nga pandemia e COVID-19.

“Ditën e parë që erdhën vaksinat i pari u vaksinua kryetari i Komunës, pastaj kryeimami dhe pastaj unë. Ka qenë mesazh për qytetarët, nga kryetari, i myftiut për xhematin nëpër xhamia që të vaksinohen dhe unë pata fatin që mora vaksinën dhe u thash kolegëve por edhe qytetarëve të vaksinohen sepse është e vetmja formë për ta mundur virusin, u bëj thirrje edhe sot”, tha ai.

“Nuk kam pasë ndonjë efekt anësor, asnjë shenjë…”, deklaroi Ismaili në “Kallxo Përnime”.

Ai ka thënë se të gjithë ata qytetarë që kanë simptoma të COVID-19 duhet të lajmërohen e mos ta fshehin virusin.

“Është e rëndësishme që të vetëdiciplinohen qytetarët, vaksinimi dhe koordinimi i terapisë, pra nuk duhet ta fshehë askush që ka një sëmundje, por duhet të kontrollohet”, tha ai.