Drejtori i ShSKUK-së: Pacientët pozitiv me COVID-19 nuk ritestohen pasi mjekohen

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (ShSKUK), Basri Sejdiu ka thënë në një intervistë për KALLXO.com se pacientët të cilët janë duke u trajtuar për COVID-19, nuk ritestohen.

Pra në mostrat ditore të cilat teston Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, në laboratorin e mikrobiologjisë, nuk ka mostra të pacientëve të cilët konsiderohen të shëruar.

 

Drejtori Sejdiu thotë se, një pacient i shëruar konsiderohet kur mjekohet në afatin e paraparë dhe nëse për tri ditë nuk tregon simptoma të coronavirusit konsiderohet i shëruar.

Mos-ritestimi i pacientëve me COVID-19, Sejdiu thotë se është si rezultat i rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Në fakt rekomandimet e fundit që janë edhe të OBSH-së, pacientët që kanë dalë pozitiv trajtohen, ata nuk ritestohen, mjafton që 3 ditë pas trajtimit nuk ka simptoma konsiderohet i mjekuar. Nga Klinika Infektive në të cilat konsiderohen pa simptome lirohen me rekomandim që të jenë të izoluar por nuk po dërgohen më për ritestim”, shton drejtori Sejdiu.

Gjatë ditës së sotme, KALLXO.com publikoi intervistën me drejtorin Sejdiu i cili tha edhe se kanë arritur që të krijojnë hapësira të tjera përveç Klinikës Infektive për të trajtuar të prekurit me COVID-19 të cilët janë në gjendje të rëndë.

“Këto ditë kemi marrë vendim për zgjerimin e kapaciteteve në Qendrën e Mjekësisë Sportive, të i kemi së paku 500 shtretër në QKUK, nëpër spitale regjionale kanë fillu, kanë reflektu, kanë kriju reparte infektive, kanë pacientë të shtrirë. Situata është e menaxhueshme nuk ka vend për panik por normal duhet të kemi kujdes të shtuar në bazë të rekomandimeve. Masat e thjeshta e ndalojnë rritjen e të infektuarve por edhe japin komoditet edhe në trajtim, kur ke pacientë më pak trajtohen më lehtë dhe më mirë”, shton Sejdiu.

Lirimi i masave kundër pandemisë COVID-19 që në fillim të muajit të kaluar, ka bërë që numri i pacientëve të cilët kanë kërkuar trajtim mjekësor pas simptomave për coronavirus të rritet.

Deri më sot që nga 13 marsi i këtij viti në Kosovë janë regjistruar 2,878 të infektuar me coronavirus. Nga ky numër, 1,577 janë shëruar ndërsa janë shënuar edhe 51 viktima.

Pandemia, testimi dhe gjendja e sistemit shëndetësor, flet drejtori i ShKSUK-së