Drejtori i Shërbimit Sptialor Klinik dhe Universitar të Kosovës - ShSKUK, Elvir Azizi Foto: ShSKUK, Facebook

Drejtori i ShSKUK-së: Kam trashëguar kontrata të keqplanifikuara

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar, Elvir Azizi tha sot se kontratat që ka trashëguar nga pasardhësit e tij në këtë pozitë, kanë probleme dhe janë keq të planifikuara.

Në mbledhjen e rregullt që Bordi i ShSKUK-së mbajti sot, Azizi përmendi kontratën për furnizim me materiale higjienike dhe furnizimin me barna nga lista esenciale. Ai tha se ka pasur edhe keqinterpretim te kësaj liste.

KALLXO.com kishte raportuar më 22 shtator për mungesën e letrave higjienike dhe sapunëve në tualetet e QKUK-së.

Kjo kontratë, sipas Azizit ka qenë e planifikuar keq dhe ndonëse furnizimi bëhet çdo 3 muaj, në fund të çdo 3-mujori mbeten pa to.

Për të zgjidhur këtë problem, drejtori tha se do të hapet një tender i ri, për të cilin kanë angazhuar një ekspert gjerman për përgatitjen e specifikave.

“Do të shpallet tenderi i ri për pastrimin e tyre, me u rrit cilësia dhe me i bashku elementet e ndryshme të sanitarisë në një kontratë dhe jo si të ndara” – tha Elvir Azizi.

Furnizimin me barna nga lista esenciale, Azizi tha se e ka gjetur diku rreth 50%, kur ai mori udhëheqësinë e këtij institucioni, në korrik të këtij viti.

Ai tha se janë duke punuar që deri në fund të tetorit, furnizimi të rritet më shumë, ndonëse tha se nuk e di nëse do të mund ta përmbushin kërkesën e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia për furnizim 100% me barna.

Azizi shtoi se në këtë aspekt ka çaluar secila hallkë e menaxhimit, ndërsa për vitin e ardhshëm premtoi planifikim më të mirë.

Para Azizit, i cili u zgjodh përmes konkursit, ShSKUK u udhëheq nga dy ushtruese të detyrës, Narqize Arënliu – Hoxhaj dhe Pranvera Zejnullahu – Raçi.

Kjo e fundit dha dorëheqje më 26 janar. Ajo ishte emëruar në atë pozitë, pasi që ish-drejtori i këtij institucioni, Valbon Krasniqi kishte dhënë dorëheqje.