Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Drejtori i shkarkuar nga Albulena Haxhiu ankohet në KPMShCK

Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Rama, është ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës rreth vendimit për ndërprerje të punës nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ndërsa ka kërkuar që ky vendim të anulohet.

Në një njoftim të përcjellë te mediat nga Rama, thuhet që ky vendim ka qenë krejtësisht politik dhe arbitrar i ministres Haxhiu.

Rama pretendon se vendimi ka pasur shkelje procedurale dhe kundër ligjore gjatë gjithë kohës e deri kur është marrë vendimi për ndërprerjen e marrëdhënieve të punës.

Rama po ashtu thotë se ky vendim është ndërhyrje e ministres ndaj një agjencie, e cila është formuar me ndihmën e qeverisë së SHBA-së, e Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian.

Më 12 maj, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Rama i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Sipas Haxhiut, ky vendim është marrë nga komisioni disiplinor, pas joprofesionalizmit dhe keq menaxhimit të treguar nga drejtori Rrahim Ramaj.

“Sot, u njoftuam se mbi bazën e të gjeturave tona, Komisioni Disiplinor për Pozitat e Nivelit të Lartë Drejtues, ka shqiptuar masën disiplinore “Ndërprerje e marrëdhënies së punës” për drejtorin e kësaj Agjencie, për shkak të keqmenaxhimit, joprofesionalizimit, mungesës së transparencës, si dhe mosgatishmërisë për bashkëpunim në kryerje të detyrave të tij ligjore. Po ashtu i njëjti ishte zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme”, ka shkruar Haxhiu në facebook.

Më 7 prill të këtij viti ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka njoftuar  ka iniciuar procedurë disiplinore ndaj drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Ndërsa më 17 prill Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të themelojë një komision hetimor lidhur me rastin e Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, Rrahim Rama.

Ministria inicion procedurë disiplinore ndaj drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar

Ministria inicion procedurë disiplinore ndaj drejtorit të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar