Drejtori i shkarkuar i AKI-së flet për dyshimet rreth hapjes së kasafortës së Presidencës

Ish- Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, ka folur në lidhje me dyshimet të cilat janë raportuar muajin e kaluar se një person i paraqitur si inspektor i AKI-së ka tentuar të marrë disa dosje nga kasaforta e Presidencës.

Gashi thotë se kasaforta nuk është hapur fare.

“Unë kam qenë dëshmitar në këtë ngjarje bashkë me u.d. e presidentes dhe zyrtarin e AKI-së. Unë jam dëshmitar i ngjarjes krahasuar me të tjerët që po deklarohen në studio se është hapur sefi. Nuk është hapur sefi”, tha Gashi në një lidhje telefonike në Klan Kosova.

Ai tutje tregoi se dosjet në kasafortë kanë qenë për presidentin.

“Çështja e dytë, çdo gjë është bërë në mënyrë protokollare, është njoftu AKI jo për të marrë informacione, por ka ndodhur për shkak se informacionet kanë qenë të AKI për presidentin dhe prodhuesi i informacionit është thirrur për të mbrojtur atë informacion që gjendet aty që nuk është tërhequr dhe nuk është kryer pranim- dorëzimi i atyre informacioneve”, shtoi tutje ai.

Gashi mohoi disa herë se nuk kanë hapur kasafortën e Presidencës, ndërsa shtoi se për të gjitha veprimet e tij dhe të inspektorit të AKI-së kanë qenë të njoftuar kabineti i u.d. të presidentes Vjosa Osmani.