
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë: Gratë me kancer të gjirit do të subvencionohen me proteza
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Izet Sadiku, në emisonin “Kallxo Përnime”, ka thënë se nga 1 janari i vitit të ardhshëm gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit do të subvencionohen me proteza të gjirit.
“Prej 1 janarit do të fillojmë të subvencionojmë krejt gratë me proteza të gjirit, Komuna me ju dhanë pagesën prej 100 euro apo sa kushton ajo, kjo është e vogël për ato gra por është diçka që mund ta bëjmë” – ka thënë ai.
Tutje ai ka thënë se po ashtu në Komunën e Prishtinës do të angazhohen edhe katër mjekë për të kryer shërbimin e mamografisë.
“Ne do t’i bëjmë katër mamografë. Unë nuk kam të drejtë më punësu numër më të madh të stafit nëse nuk me lejon Ministria” – ka thënë ai.
Aktualisht në kryeqytet funksionojnë dy mamografi.
Sadiku tutje ka shpjeguar pse këto mamografi punojnë vetëm deri në ora 13:00.
“Radiologët nuk mund të punojnë në dy ndërrime, krejt rëntgenet, ultrazërat, i kryejnë pesë radiologë” – ka thënë ai.
Fitore Zenelaj me profesion infermiere ka treguar përvojën e saj me pajisje të protezës të gjirit, kur ka qenë duke e trajtuar këtë sëmundje.
“Protezë një herë kam marrë në onkologji, jo që kanë lajmëruar por prej shoqeve kam marrë vesh”- ka thënë Zenelaj.
Lidhur më këtë çështje, ish-drejtori i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, Ilir Kurtishi, ka thënë se kjo Klinikë nuk është përgjegjës për proteza.
“Klinika e Onkologjisë nuk është përgjegjëse për proteza. Kjo duhet me u futë në listë esenciale. Për këtë duhet me bë kërkesë edhe kirurgjia. Kur është bë revidimi i Listës Esenciale nuk është futë. Për proteza është përgjegjës kirurgjia”- ka thënë Kurtishi.
Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.
Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, bashkë me anëtarët e Komisionit parlamentar për shëndetësi, kanë vizituar Klinikën e Onkologjisë.
Haxhiu lavdëroi personelin shëndetësor të kësaj Klinike por theksoi mungesën e barnave për terapi onkologjike.
“Ndonëse përkushtimi i personelit shëndetësor është maksimal, shqetësuese mbetet mungesa e barnave për terapi onkologjike, ku furnizimi nga barnat e Listës Esenciale këtë vit ka rënë nën 70% , përderisa vitet e kaluara furnizimi me barna në Onkologji ishte rreth 90%” – shkroi ai në Facebook.
Haxhiu tha se është rritur edhe lista e pritjes për radioterapi dhe barhiterapi për shkak të problemeve që janë shkaktuar në Klinikën e Onkologjisë.
“Për shkak të problemeve që janë shkaktuar këtë vit në Klinikën e Onkologjisë është rritur lista e pritjes për Radioterapi dhe Barhiterapi. Problem shqetësues sipas drejtuesve të klinikës është mungesa e stafit. Aparaturat mjekësore ekzistojnë, por ka raste kur nuk ka kush të punojë me to, prandaj shumë herë transferohet stafi nga klinikat tjera për t’iu ofruar shërbime pacientëve”- theksoi deputeti Haxhiu.