FOTO: KALLXO - Lavdim Krasniqi, drejtor i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës

Drejtori i Sekretariatit të KPK-së po dyshohet për vepër korruptive

Drejtori i  Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, është shoqëruar në Polici nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Përveç Krasniqit, Policia e Kosovës ka konfirmuar se kanë shoqëruar edhe një person tjetër.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës ka thënë se shoqërimin e dy zyrtarëve të KPK-së e ka bërë Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka shoqëruar për intervistim dy persona. Të njëjtit janë shoqëruar në polici për intervistim mbi dyshimin e bazuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka thënë për KALLXO.com Zyra e informimit të Policisë së Kosovës.

KALLXO.com raportoi sot se Krasniqi është shoqëruar në Polici dhe po intervistohet nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike.

(Ky raport është edituar, duke hequr pjesën që fliste për dyshimet se shoqërimi në Polici ndërlidhet me arrestimet për subvencionet në bujqësi)