Drejtori i Sekretariatit të Energjisë kundër ndërtimit të Termocentralit 'Kosova e Re'

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac ka prezantuar “Raportin Implementues 2019 nga Sekretariatit i Komunitetit të Energjisë”, para Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike.

Kopac e ka bërë me dije që në Evropë nuk do të ketë më asnjë termocentral të ri me qymyr duke thënë se shpreson që Kosova nuk do të insistojë në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.

“Nuk do të ketë asnjë termocentral të ri në Evropë që do të përdorin qymyr, dy që janë duke u ndërtu në Tuzla dhe Kostolac, këto dy po bëhen me para kineze, dhe këto janë të fundit. Shpresoj Kosova nuk do të insistojnë në ndërtimin e Kosovës së Re”, ka theksuar Konac.

Njëra prej pikave të këtij raporti ka qenë edhe de-karbonizimi.

Kopac ka thënë se së shpejti Bashkimi Evropian do të vendosë tarifë për karbonin dhe produktet që përmbanë karbon. Gjithashtu ai ka thënë se nuk mund të pres de-karbonizim deri në vitin 2050 kur dihet të Kosova 90% të energjisë e prodhon nga qymyri.

KALLXO.com ka transmetuar live prezantimin e raportit nga Kopac.

LIVE Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE)raporton para Komisionit Parlamentar për Ekonomi…

LIVEPrezantimi i Raportit Implementues 2019 nga Sekretariatit i Komunitetit të Energjisë.

Publiée par Kallxo.com sur Mardi 3 mars 2020

Seanca dëgjimore në të cilën pritet që Qeveria e Kosovës të përballet me Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, lidhur me procedurat e zbatuara për projektin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” do të mbahet më 30 prill.

Në fund të vitit të kaluar, përmes një njoftimi publik, Sekretariati ka bërë të ditur se ka zbuluar disa masa të paligjshme në marrëveshjen komerciale të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë amerikane “Contour Global”, andaj edhe ishte kërkuar kjo seancë dëgjimore.

Fillimisht, seanca ishte caktuar të mbahet më datën 17 janar të këtij viti, por për shkak të mosformimit të qeverisë se re, është kërkuar që seanca të shtyhet për datën 30 prill.

Në bazë të marrëveshjes, Qeveria e Kosovës jep një garanci shtetërore për pakon financiare për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, por që si i tillë ky garancion kërkon 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.

Kontrata me “Contour Global” është nënshkruar nga Qeveria Haradinaj në dhjetor të vitit 2017. Përfaqësues të shoqërisë civile vazhdimisht e kanë cilësuar të dëmshme këtë kontratë.

Realizimi i këtij projekti energjetik me kapacitet 500 megavatë, do të kushtojë 1.3 miliard euro.

Banka Botërore ka deklaruar se nuk do ta mbështesë ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr.