Drejtori i RTK-së tregon a pati përleshje fizike mes Tomë Gashit e Nol Nushit

Drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, përmes një postimi në Facebook ka mohuar lajmet e publikuara në disa portale se ka pasur përleshje fizike në mes të avokatit Tomë Gashi dhe asamblistit Nol Nushi.

“RTK njofton shikuesit se mysafirët kanë vazhduar debatin me tone ofenduese dhe pas emisionit ku Nol Nushi i është kundërpërgjigjur duke e gjuajtur me ujë, por se nuk ka pasur përleshje fizike e as goditje ndërmjet tyre”, ka shkruar Kastrati.

Avokati Tomë Gashi në një prononcim për KALLXO.com ka mohuar të ketë pasur rrahje mes tij dhe Nol Nushit.

“S’ka pasë kurrfarë incidenti, ka pasë vazhdim të debatit, pas përfundimit të debatit. Unë besoj që është keqpërdorim i atyre që kanë aluduar dhe që kanë publikuar kinse ka pasur rrahje në mes meje që jam identifikuar si përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nol Nushit që është një prej zyrtarëve të PSD-së”, tha ai.

“Thjesht debati ka qenë më i ashpërsuar për shkak se Noli edhe gjatë emisionit ka filluar me fyerje duke aluduar në djalin tim që e ka emrin Albin dhe sigurisht që përmendja e anëtarëve të familjes nuk është gjë e mirë kështu që unë ia kam kthy me të njëjtën”, shtoi ai për KALLXO.com.